Ministria e Kulturës i hedh poshtë akuzat e BDI Gostivar: Zylfiqari ka përvojë kultutore 5-vjeçare

Ministria e Kulturës i ka hedhur poshtë akuzat se gjatë shkarkimit të Arjan Rufatit, dhe emërimit të Ylber Zylfiqarit në postin e Institucionit Kulturor Qendra Konservatore – Gostivar është bërë shkelje e ligjit dhe rregullave të shpalljes, transmeton Portalb.mk.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se Komisioni që u formua për selektimin e kandidatëve për zgjedhjen e drejtorit në IN Qendra Konservatore – Gostivar, ka konstatuar se kandidati Ylber Zulfiqari, përpos kushteve tjera e plotëson edhe kushtin për zgjedhjen e drejtorit ku përcaktohet të ketë së paku 5 vjet përvojë pune në sferën e kulturës”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Në pyetjen e Portalb.mk, se ku ka shkelur ligjin Ministria e Kulturës gjatë shkakrimit tuaj, ish drejtori i Qendrës Konservatore – Gostivar, Arjan Rufati tha: “Nuk plotëson një nga kushtet e shpalljes, 5 vite përvojë në sferën e kulturës”.

Përndryshe, paraprakisht BDI Gostivar ka reaguar për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit të Instituti Kulturor Qendra për Konservatore – Gostivar nga Ministria e Kulturës. Emërimin e Ylber Zylfiqarit e shohin në kundërshtim me ligjin dhe të motivuar politikisht.

“Ministri i Kulturës, Asaf Ademi në kundërshtim të plotë me ligjin ka bërë shkarkimin dhe emërimin e drejtorit në Institutin Nacional “Qendra për Konservim”, në Gostivar. I motivuar politikisht, Ademi ka emëruar për drejtor të ri një kuadër që nuk ka plotësuar kushtet e parapara në konkursin për emërimin e drejtorëve në institucionet nacionale të kulturës. Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI në Gostivar, fton Ministrin Ademi të kujdesët për shqiptarët në institucionin që drejton, të emëron kuadro shqiptare në institucionet që nuk udhëhiqen nga shqiptarët”, thuhet në reagimin e BDI Gostivar.

Ndryshe, dje Ministria e Kulturës e Maqedonisë, ka emëruar 22 drejtorë të institucioneve kulturore nacionale, ndër të cilët është edhe emërimi i drejtorit të Qendrës Konservatore – Gostivar.

Loading...