Shqipëria dhe Turqia kanë ngritur një “Urë të re” mes tyre pas nënshkrimit të marrëveshjes për gazsjellësin TAP, jo vetëm ekonomike por edhe gjeopolitike.
Ekonomia shqiptare, falë gazsjellësit TAP do të ketë një injektim prej afro 1 miliard eurosh në dy dekadat e ardhshme. Kryeministri Rama i pranishëm në nisjen e punimeve për seksionin detar të TAP-it që do të sigurojë lidhjen e gazsjellësit me Italinë, theksoi rëndësinë e madhe që ka ky projekt për perspektivën e ekonomisë shqiptare, transmeton Gazeta e Re.

“Falë gazsjellësit, ekonomia jonë do përfitojë afro 1 miliard euro injeksion në dy dekadat e ardhshme dhe këtë e thotë një studim i Universitetit të Oksfordit”, theksoi kryeministri duke vënë në dukje edhe aspektin social të të gjithë programit të investimeve të TAP për komunitetin.

Rama nënvizoi edhe perspektivën që hapet për krijimin e një tregu të ri, një industrie të re në Shqipëri, që pa TAP, siç tha ai do të ishte e pamundur të projektohej. “Të gjitha këto e kthejnë TAP jo thjesht një investim strategjik, por në një forcë shtytëse historike për ekonominë shqiptare, për ekonominë e së ardhmes”, theksoi kryeministri Rama, njofton ATA.

Ndryshe, Sot Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, realizuan një takim në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërsa në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi mes dy vendeve dhe zhvillimet në rajon.
“Duke u ndalur tek mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomik, presidenti Meta shprehu vlerësimin për vëmendjen që Presidenti Erdoğan dhe Qeveria e Turqisë i kushtojnë këtij bashkëpunimi me Shqipërinë dhe nënvizoi se Turqia mbetet një nga partnerët kryesorë ekonomik e tregtar për Shqipërinë. Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu kontributin e dhënë nga Turqia përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), e cila tashmë është e pranishme në të gjithë Shqipërinë”, thuhet në njoftim.

Loading...