Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme plenare e votoi ligjin për amnisti me të cilin u zvogëlohet dënimi me burg disa të burgosurve, njofton Portalb.mk

Me këtë ligj lirohen personat e dënuar që u është shqiptuar masa 6-muaj burg, ndërsa ata që kanë dënim më tepër se gjashtë muaj do të lirohen 30% nga vuajtja e dënimit.

Me ligjin për amnisti nuk lirohen personat që janë të dënuar me: burg të përjetshëm, për vepër penale “vrasje”, përdhunim dhe pedofili, për terrorizëm dhe vepra penale kundër shtetit, për vepra penale kundër rendit dhe qetësisë publike, për vepra penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Ligji për amnisti nuk i përfshin personat të cilët veprat penale i kanë kryer pas 20.09.2017.

“Amnistia nuk i përfshin të dënuarit të cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji është urdhëruar nxjerrje të fletarrestit për shkak partishmërisë së organeve të ndjekjeve penale”, thuhet në ligj.

Statistikat tregojnë se nga dënimi do të lirohen rreth 670 të burgosur që janë të dënuar me gjashtë muaj burg, ndërsa për 3097 do të ulet dënimi për 30%.

Loading...