Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi denoncoi dy ditë më parë një rast në kufijtë e një skandali.
Ai publikoi disa foto që sipas tij janë bërë në një shkollë 9 vjeçare në Skrapar, ku dallohen disa të rinj që ia kanë shtruar me mish të pjekur dhe raki.

Sipas tij qeveria po tenton të ndalojë alkoolin jashtë ambienteve të shkollës, për ta futur atë brenda saj.

Por në lidhje me këto foto reagon sot edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila shkruan se fotot nuk janë bërë në ditë mësimi dhe as me nxënës apo mësues të shkollës.

Por bëhet fjalë për shkollën (me një klasë të vetme) vartëse në fshatin Çorrotat, e cila në 15.02.2018 është mbyllur për arsye sigurie.

Bashkia Skrapar ka bërë ndërhyrjen për ta sjellë në kushte për vijimin normal të mësimit.

Nikolla shkruan se pas përfundimit të punimeve, kryeplaku i fshatit ka shtruar një drekë për punëtorët dhe prindërit, të cilët kontribuan për meremetimin e shkollës-klasë.

Reagimi

SHKOLLA KU MISHI PIQET E … MINISTRIA NUK DIGJET

Deri më tani Ministrinë e Arsimit dhe drejtuesen e kam quajtur të paaftë dhe të papërgjegjshme.

Me sa duket qenkam gabuar!?

Fotot e mëposhtme të bëra në shkollën 9 vjeçare Zhepë, Skrapar ma “ndryshuan” tërësisht opinionin.

Ministria duket hapur këtu që është “gjeniale” dhe shumë “serioze”.

Shpikjet e saj nuk shterojnë asnjëherë.

“Mësojmë me hell në dorë” quhet kjo nisma më e re e Ministrisë, e cila shoqërohet me iniciativën e Qeverisë: “Ndalohet alkooli jashtë shkollave… e lejohet brenda”.

Jemi në epokën e klasave digjitale pra, të Ramës e Linditës, “ku vlon mishi e rakia, tym e flakë të bëhet dija”.

Faktet ulërrasin!

E nuk janë të vetmet.

Rrëfejnë saktë se si institucionet tona arsimore janë degraduar tashmë jo vetëm fizikisht, por dhe moralisht në pjesën dërmuese të tyre.

Tani në shkollat tona “të gjeneratës së re”, ndodh gjithçka.

Aty dhe shpërndahet “mall”, siç tregojnë shumë denoncime të nxënësve e prindërve, bëhen dhe mbledhje partie, por dhe njëkohësisht hahet e pihet qelepir e bëhet aheng për shtatë palë qejfe.

Shkolla së fundmi është dhe gjelltore dhe thertore dhe han me katër porta, ku vetëm mësim e edukim nuk ndodh të bëhet, ose rrallë bëhet.

Kjo është pamja reale e arsimit përtej fjalëve të stisura të Ramës e Linditës.

Rroftë Rilindja e … hellit në Arsim!

Reagimi i Nikollës

Ja e vërteta mbi fotot e publikuara nga deputeti i PD, që shpifjen e ka kthyer në tiparin e tij dallues sa herë flet apo shkruan.

Fotot që serviren me komentet denigruese, nuk janë bërë në ditë mësimi dhe as me nxënës apo mësues të shkollës.

Bëhet fjalë për shkollën (me një klasë të vetme) vartëse në fshatin Çorrotat, e cila në 15.02.2018 është mbyllur për arsye sigurie. Bashkia Skrapar ka bërë ndërhyrjen për ta sjellë në kushte për vijimin normal të mësimit.

Kryeplaku i fshatit, z. Albert Paja, ka vënë në dispozicion shtëpinë e tij për tre nxënësit dhe mësuesin e tyre.

Pas përfundimit të punimeve, kryeplaku i fshatit ka shtruar një drekë për punëtorët dhe prindërit, të cilët kontribuan për meremetimin e shkollës-klasë.

Ja se si gënjeshtra dhe shpifja e sjell këtë foto të bërë në shkurt të 2018-ës, kur shkolla-klasë nuk funksiononte si e tillë, sikur është sot.

Madje, edhe personat në foto bëhen mësues apo nxënës.

E lehtë z. Deputet. Meqenëse tre nxënësit e shkollës janë të vegjël, shih me kujdes se mos dallon mësuesin. Mirëpo, një gjë duhet ta dini z. Deputet: arsimin në “hell” nuk e çon dot balta që prodhon ti me një zell të admirueshëm, që tregon qartë se interesi juaj nuk është arsimi, por rreshtimi politik në PD.

Tani ju lutem lexojeni dhe një herë statusin dhe shikoni se sa i aftë dhe i përgjegjshëm është ky deputet.

Loading...