Misini: As BDI-ja nuk i beson raportit të Musa Xhaferit

Ish deputeti i BDI-së, Hajrulla Misini, thotë për “Lajm” se “fshehja” e deritanishme e raportit më së tepërmi është për shkak të pakënaqësive brenda vetë BDI-së. “Mospublikimi i këtij raporti nuk është për shkak të krizës politike dhe frikës se si do të reagojnë partitë tjera, por për shkak të reagimeve brenda BDI-së ndaj këtij raporti, sepse 14 vite pas nënshkrimit të saj, niveli i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit ende është shumë i ulët”, thotë Misini

Zëvendës kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi  në një prononcim të tij për gazetën Dnevnik ka deklaruar se raporti për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili duhet të publikohet më 13 gusht, nuk është publikuar deri tani për shkak të krizës politike. Sipas paralajmërimeve, ky raport  nuk do të përmbajë shifra konkrete për nivelin e deritanishëm të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, por vetëm do të japë koordinata se si duhet të implementohet në të ardhmen kjo marrëveshje. Edhe më herët janë mbajtur tryeza të rrumbullakëta dhe janë dhënë sugjerime se si të implementohen në të ardhmen obligimet e Marrëveshjes së Ohrit, por këto sugjerime kanë rezultuar të kota. Ato kanë për qëllim të fshehin sa është e mundur dështimin e BDI-së për të implementuar këtë marrëveshje, sepse ajo nuk ka nevojë për interpretime dhe sugjerime, sepse është qartë dhe e nënshkruar pas një konflikti të përgjakshëm. Për të mbuluar sadopak ngecjen e madhe në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe zëvendëskryeministri Musa Xhaferi kanë angazhuar diplomatin Piter Fejt, për t’i bë një ekspertizë raportit që do të publikohet më 13 gusht.

Mirëpo këtij raporti jo vetëm që nuk i beson opinioni, por nuk i beson as vetë BDI-ja.

Ish deputeti i BDI-së, Hajrulla Misini, thotë për “Lajm” se “fshehja” e deritanishme e raportit më së tepërmi është për shkak të pakënaqësive brenda vetë BDI-së.

“Mospublikimi i këtij raporti nuk është për shkak të krizës politike dhe frikës se si do të reagojnë partitë tjera, por për shkak të reagimeve brenda BDI-së ndaj këtij raporti, sepse 14 vite pas nënshkrimit të saj, niveli i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit ende është shumë i ulët”, thotë Misini.

“Ka vërejtje edhe për shkak të kohëzgjatjes së implementimit të kësaj marrëveshje, e cila është dashur të mbyllet në vitin 2004”, thekson Misini.

Parashtrohet edhe pyetja nëse BDI po fshehë shifrat për përfaqësimin e drejtë dhe a nënkupton se gjatë këtyre viteve janë punësuar aq shumë maqedonas, saqë përqindja e shqiptarëve ka rënë edhe më shumë?

Për këtë analisti Arsim Sinani është përgjigjur në mënyrë ilustruese duke thënë se ai e sheh Marrëveshjen e Ohrit, si një fëmijë që është lënë pa përkujdesje, dhe prandaj sipas tij përfaqësimi i shqiptarëve në institucione nuk shkon përpara.

Sinani thekson se edhe po të publikohet ky raport, drejtuesit shqiptarë nuk kanë se çka publikojnë dhe se sipas tij nuk është problem te kriza politike por te, siç tha ai, kompromiset që i kanë bërë me Gruevskin.

“Mendoj se implementimi i marrëveshjes së Ohrit është një histori në vete, por një histori e dhembshme e tranzicionit në Maqedoni. Mendoj se Marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar në pikat kryesore të saj, prandaj derisa garantuesit amerikanë dhe evropianë nuk vendosin një ekip punues që do ta kryenin një hetim të mirëfillte se sa është implementuar kjo marrëveshje, MO-ja do ta ketë fatin si kali i shemës” ka deklaruar kështu Sinani.

 

Kështu që, nuk do të ketë raport të MO-së, vazhdoi Sinani, deri atëherë kur nuk ka marrëveshje politike, vullnet dhe dëshirë që të implementohet.

Loading...