Miti amerikan gjithnjë e më i venitur

Kur Hitleri aneksoi Austrinë, Sudetet, mësyu Çekosllovakinë, pushtoi Poloninë, Francën, Suedinë, Norvegjinë, Greqinë dhe po përgatitej të zbarkonte në Angli, Amerika qëndroi duke vështruar.

Hyri në luftë vetëm kur e sulmuan japonezët në Pearl Harbor. SHBA-të kanë disa faza të gjata boshllëku dhe më pas disa faza angazhimi heroik, altruist. Pasi hynë në luftë u treguan të mrekulleushëm sepse udhëhoqën një fushatë të madhe si ushtarake ashtu edhe propagandistike dhe u pritën si çlirimtarë. Vijuan më pas ta bënin një gjë të tillë në luftën e ftohtë kundër Bashkimit Sovjetik duke krijuar mitin e Amerikës kurajoze, zemërgjerë dhe të drejtë.

Por, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, SHBA-të e humbën detyrën e tyre si udhëheqës të botës së lirë. Amerikanët kanë besuar gjithnjë se kishin një mision, që prej fillesave të tyre, për të krijuar një botë të lirë dhe të drejtë, duke nisur që nga lufta kundër skllavërisë e deri te lufta kundër nazizmit dhe komunizmit. Por pasi u zhduk Bashkimi Sovjetik e humbën misionin e tyre, ranë në humnerë. Flirtuan me botën myslimane më prapanike për ta dobësuar Rusinë, kanë bërë luftëra të përgjakshme kundër qeverive arabe laike duke lënë terren të lirë për ekstremizmin islamik, kanë injoruar me dembelizëm Isis-in dhe kanë krijuar kushtet e përshtatshme për luftën civile në Siri dhe valën e miliona emigrantëve të saj. Nuk bënë asgjë as në Libi dhe as në Turqi për të shmangur emigrimet myslimane drejt Europës, gjë të cilën e injoruan dhe vazhdojnë të qëndrojnë indiferentë.

Në Europë ekziston ende miti i Amerikës si udhëheqëse politike dhe morale e botës së lirë. Në të vërtetë, SHBA-të prej kohësh nuk drejtojnë më asgjë, nuk kanë asnjë projekt, nuk çlirojnë më askënd, mendojnë vetëm për veten. Nuk e duan Europën nga e cila lindën, janë indiferentë përballë historisë dhe kulturës së saj, madje i bezdis ajo. Nuk e kuptojnë diversitetin e saj, nuk e kuptojnë krenarinë e kombeve të saj të vjetra dhe mendjemadhësinë e qyteteve të saj, të cilat atyre iu duken të gjitha të vjetra dhe njolloji dhe i shohin vetëm me syrin praktik të tregtarit, sikur të ishin banaqet e shumta të një tregu ku mund të shkojnë për të shitur prodhimet e tyre. Më pas e dinë se Europa nuk ka ushtri, se varët plotësisht prej tyre, nga Nato. Mjaft më.

Loading...