Miti për patriotët në pushtet, dhe qytetarët e dyshimtë

Këtë asociacion, pas shpalljes do të e kontrolloj qeveria e Serbisë, e cila , si deklaron presidenti serb, do të mbrojë popullin serb në Kosovë nga “bandit dhe terrorist të veshur në uniforma”. Ajo që e dallon këtë asociacion nga republikat serbe në Bosnje dhe Kroaci, është forma e dizajnuar për të fituar përkrahje ndërkombëtare, dhe viktimizimi i strukturave të cilat tash 18 vite po luftojnë jo vetëm kundër strukturave të sigurisë kosovare por edhe atyre ndërkombëtare

Fadil Lepaja

Miti i shtetit dhe pushtetit të pagabueshëm, patriotik, po duket se ka nisur të formësohet në një politikë arrogante ndaj qytetarit, dhe komuniteteve, e cila kur kemi parasysh natyrën kriminale të shtetit serb në të kaluarën dhe krimeve të kryera në Kosovë, për shumicën e qytetarëve mund të duket e pranueshme , e për disa edhe si hakmarrje legjitime. Për këtë qëllim më të lartë, ka, ende, shumë qytetarë , që shprehen të gatshëm të mos dyshojnë, asnjëherë në të drejtën e shtetit dhe policisë “kombëtare” të rrahë qytetarët dhe të jetë arrogante, e madje edhe e dhunshme, nëse e kërkon “çështja”! Kjo qytetarin e kthen në shërbyes të shtetit, dhe rrjedhimisht edhe paraprakisht të dyshimtë, dhe si të tillë shteti dhe policia mund të e trajtojnë si të duan, duke e linçuar publikisht, apo indirekt përmes medias, apo rrjeteve sociale ku tashmë e kanë marrë kontrollin e plotë. Kjo, sjellje ndaj komunitetit, me vetëdije ose pa të po e krijon një paralele, krejtësisht jo adekuate, duke i barazuar kërkesat e dikurshme të shqiptarëve për liri, dhe institucionet paralele, me ato të serbëve në veri të cilët nuk pranojnë të njohin shtetin e Kosovës, dhe pas aksionit “heroik” në veri, me gjasë edhe do të shpallin “njëanshëm” asociacionin e tyre, si një republikë, të kamufluar me emër të butë , si asociacion komunash. Këtë asociacion, pas shpalljes do të e kontrolloj qeveria e Serbisë, e cila , si deklaron presidenti serb, do të mbrojë popullin serb në Kosovë nga “bandit dhe terrorist të veshur në uniforma”. Ajo që e dallon këtë asociacion nga republikat serbe në Bosnje dhe Kroaci, është forma e dizajnuar për të fituar përkrahje ndërkombëtare, dhe viktimizimi i strukturave të cilat tash 18 vite po luftojnë jo vetëm kundër strukturave të sigurisë kosovare por edhe atyre ndërkombëtare. Sinkronizimi Beograd- Prishtinë në nivel presidentësh, duket qartë, edhe pse ndërhyrja, në veri, duket të jetë dizajnuar për të nxitur emocione, konflikte, dhe për të futur konfuzion dhe për ta bërë lojën më të besueshme. Pak ditë pasi presidenti i vendit, u kthye nga vizita (jo)zyrtare në SHBA, ku (jo)zyrtarisht thuhet se janë takuar edhe me homologun serb Vuçiç, njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të njohura me akronimin ROSU, hynë në veri të Kosovës, ku pas një zhurme të madhe mediatike, shpërndanë një tubim politik, dhe prej andej, pasi përmbysën gjithçka dhe shtrinë për tokë gjithë pjesëmarrësit sikur në jë plaçkitje banke, e nxorën duke e tërhequr zvarrë, drejtorin e së ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi”, e qeverisë së Serbisë. Më vonë, duke e tërhequr zhag, e shëtitën edhe rrugëve të Prishtinës, duke e treguar si trofe lufte. Në rrjetet sociale, shpërthyen edhe pamjet nga brendia e autoblindave të policisë, të cilët lenin të kuptohej se policia kishte shkuar në veri, jo vetëm për të arrestuar një person që ka hyrë ilegalisht në Kosovë, por edhe për të u dhënë një mësim serbëve, për të i tmerruar ata. Duartrokitjet e qytetarëve dhe koordinimi me mediat pro-qeveritare, e krijoi një eufori, atmosferë fitoreje historike, një histeri të jashtëzakonshme, për të mos lënë asnjë dilemë se ky pushtet është patriotik dhe kjo se ia mbulon të gjitha të palarat, të cilat janë përmbledhur në kushtin tjetër për “liberalizim”, pra krimin dhe korrupsioni i klasës politike. Krejt kjo po ndodhte, menjëherë pasi Presidenti i Kosovës, duke marrë kompetenca të cilat me gjasë nuk i takojnë, e kishte shpallur, se ai po fillonte jetësimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, të stopuar deri tani, nga një vendim i Gjykatës Kushtetues të Kosovës, dhe nga protestat qytetare, të opozitës. Shikuar nga jashtë, deklaratat e Presidentit Vuçiç dhe ato të Presidentit Thaçi, duken si si të kundërtat e domosdoshme, të një skenari të përgatitur në darkat e mistershme, në ndonjë restorant skaj magjistraleve amerikane, ndërkohë që zyrtarët amerikan dhe evropian shprehen shumë të shqetësuar me zhvillimet në veri dhe në Kosovë në përgjithësi. Magjistralet amerikane, gjithsesi, për neve, janë më të pranueshme se ato ruse, edhe pse ideja se individ , në darka të fshehta vulosin fatin e Kosovës, nuk e gëzon gati askënd në këtë vend. Prandaj, duhej krijuar euforia! Por të kthehemi te aksioni. Policët, e Kosovës hynë në një mbledhje, qytetarësh, të pa armatosur, padyshim me përmbajtje kundër shtetit të Kosovës, pra me pikëpamje pak a shumë të ngjashme me ato të ministrave serb në Qeverinë e Kosovës, dhe listës serbe të cilët po e kryesonin tubimin. Njësitë speciale, të Policisë së Kosovës, me një operacion të rrufeshëm, arrestuan udhëheqësin serb të bisedimeve, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili kishte hyrë në Kosovë, pa lejen e autoriteteve, ndërkaq rrugës e rrahën edhe një ministër kosovar, të nacionalitetit serb, të dyshuar si kriminel lufte, por të cilin kryeministri aktual, nuk kishte pranuar ta shkarkojë as nën presionin e fuqishëm të medias, dhe publikut. Mbi të gjitha, z. Gjuriq, dukej se ishte i përgatitur mirë të luante rolin e viktimës, dhe kur njësiti i Policisë së Kosovës, me ose pa vetëdije ja ofroi skenën, drejtori agresiv, i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, pranë qeverisë së Serbisë, e shfrytëzoi mirë këtë mundësi që nëpër rrugë te Prishtinës të luaj këtë rol, ndërkohë që , pamjet të cilat pastaj emetoheshin pandalur nëpër mediat serbe dhe ndërkombëtare, tregonin për “dhunën e policisë kosovare ndaj serbëve të paarmatosur dhe të pafajshëm”. E njëjta zyrë, pro ruse, dhe të instruktuar nga rusët, kishte nisur drejt Kosovës edhe trenin e famshëm, për të provokuar një konflikt dhe për të shpallur, asociacionin. Kësaj radhe , regjia ishte më e besueshme dhe më e sinkronizuar. Mediat e Beogradit, dhe jo vetëm ato, raportojnë edhe për shumë të lënduar, mes të cilëve edhe gazetarë serb. Këto pohime, ishin publike dhe të nivelit më të lartë, ndërkohë që mediat në Kosovë mitizojnë shtetin dhe shpallin për heronj policët, duke krijuar eufori, edhe pse ata kishin shkuar në veri të kryejnë një urdhër, i cili mbetet paqartë se nga kush ishte dhënë, kur kihet parasysh se kryeministri, nuk duket të ketë qenë në rrjedhë. Fatkeqësisht, askush nga organizatat kosovare për të drejtat e njeriut, as organizmat e ngjashëm institucional, nuk ndërmorën asgjë për të verifikuar këto pohime, për keqtrajtim civilësh, gazetarësh, për rikthimin e deliktit verbal, të cilat sipas rutinës së Prishtinës zyrtare u shpallën si propagandë e Beogradit. Kjo fatkeqësisht dëshmon se shoqëria civile në Kosovë, është veç patericë e politikës. Organizmat për të drejtat e njeriut, në një shoqëri demokratike pritet të jenë aktive dhe të pa anshëm në çdo situatë ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve shkelen apo rrezikohet të shkelen. Miti i shtetit, dhe policisë që mbron shtetin ( e jo qytetarin) pa “mitin” e qytetarit aktiv, dhe atë të demokracisë, është një fatkeqësi për qytetarët e Kosovës, dhe i shndërron ata veçse në robër të politikave dhe klaneve , e jo sovran, si u takon të jenë me kushtetutë. Qytetari është burim i pushtetit dhe jo shërbëtor i shtetit. Shteti dhe pushteti, në demokraci janë në shërbim të qytetarëve. Ose, së paku do të duhej të ishin….!

Loading...