Kosovë-Shqipëri

Momenti kur oficeri rus dhe 11 ushtarë serb vriten në Koshare (VIDEO)

auto_Bildschirmfoto-2017-09-11-um-21.49.441505159584

Një oficer rus dhe 11 ushtarë serbë kishin mbetur të vrarë nga forcat e UÇK-së në Koshare gjatë tentimit të tyre për t’iu dalë nga mbrapa luftëtarëve shqiptarë.

Shumë prej jush keni mundur të shihni videon ku edhe dokumentohet oficeri rus i vrarë në zonën ku atë botë.
Ish-komandanti i UÇK-së, Naim Maloku, kishte rrëfyer për ngjarjen e cila atë botë ishte ngritur edhe në OKB për përfshirjen direkte të Rusisë në Kosovë.

“Oficeri i lartë rus ishte i njësive speciale me gradën kapiten dhe me përvojë në luftë dhe detyra me përgjegjësi komanduese edhe në Çeçeni. Dokumentet origjinale i ka pasur me vete të cilët na i pati kërkuar edhe Ambasada Amerikane më pas”, rrëfen Maloku.

Maloku tregon se më pas ai i ka dërguar personalisht ato dokumente në Tiranë. “Atëbotë ato dokumente i kam dorëzuar në Ministrinë e Mbrojtjes në dorën e Azem Sylës që ishte ministër i Qeverisë Thaçi. Më pas Syla i ka dorëzuar ato në Ambasadën Amerikane. Por që të jem i sigurt që ato dokumente shkojnë në vendin e duhur, unë së bashku me dy ushtarë i pata dërguar ato në Tiranë”, tregon Maloku.

Ai thotë se vrasja e oficerit rus në Koshare ka hapur debat të gjerë pasi që me të ishte vërtetuar pjesëmarrja direket e Rusisë në luftën e Kosovës.

“Edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ka folur për vrasjen e oficerit rus në Koshare dhe këtë temë. Pjesëmarrja e Rusisë në Luftën e Kosovës”, tregon Maloku.

Duke lënë anash ato që kanë ndodhur pas vrasjes, Maloku ka treguar se si ka ndodhur gjithçka.
“Oficeri rus është vrarë në përpjekjet e një grupi diversantësh nën udhëheqjen e tij që të na depërtojnë në prapavijë të forcave tona në territorin që kontrollohej nga UÇK. Aty kanë mbetur edhe 11 ushtarë serbë në mesin e tyre edhe një kapiten nga Majdanpeku, dokumentet e të cilëve i kam prezantuar para gazetarëve të huaj. Normalisht, këtë detyrë unë e kisha marrë përmes radiolidhjes nga komandanti Rrustem Berisha”, rrëfen Maloku.

Ai në fund ka zbuluar edhe emrin e personit i cili e kishte vrarë oficerin rus, ndërsa tregon edhe për humbjet e UÇK-së. “Atë ditë ne kemi pasur 2 ushtarë të vrarë dhe disa të plagosur. Ndërkohë që përgjegjësinë për vrasjen e rusit e kishte marrë ushtari me nofkën “Rambo”. Jam takuar me të disa herë pas luftës në Drenicë”, përfundon Maloku.

Ndryshe Kosharja ka qenë një prej zonave më nxehta të luftës së Kosovës, ku forcat serbe kanë pësuar disa nga humbjet më të mëdha.

To Top