”Monstra” dhe “Sopoti” prioritet për Prokuroren Speciale (VIDEO)

Ministri i drejtësisë Adnan Jashari tha se Prokurorja speciale, në bazë të ligjit, ka kompetenca të fuqishme dhe se askush nuk ka të drejtë të sulmojë vendimet e saj.  Ai duke komentuar rastet “Monstra” dhe “Sopoti”, tha se ato duhet të jenë prioritet për prokuroren speciale, Katica Janeva.

“Për “Sopotin” kemi dëgjuar, nëse ato informata që ishin të shpallura, unë si jurist vlerësoj se janë fakte dhe të mjaftueshme për të ndërmarrë veprime prokurorja speciale. Lideri i opozitës theksoi se do të publikojë dhe do të shpallë informata për “Monstrën”, nuk e di se çfarë informata ka, e di një gjë se në një takim që pata sot me mbrojtësin në  rastin “Monstra” më tha se kërkesa për prioritet te prokurorja speciale është dorëzuar për çështjen e rastit “Monstra”. Mund të ndodhë që raste të përfunduara me vendime të plotfuqishme, prokuroria speciale në bazë të materialeve konstaton fakte të reja të iniciojë procedurë sërish, për përsëritje të procedurës”, tha Adnan Jashari, Ministër I Drejtësisë.

Analisti Arsim Sinani theksoi se për prokurorja do të duhet të jetë shumë e vëmendshme për rastet “Monstra” dhe “Sopoti”. Sipas tij këto dy pika janë shumë delikate që mund ta destabilizojnë Maqedoninë.

“Rasti “Monstra” mendoj se duhet të shikohet me shumë me seriozitet, të analizohet mirë, dhe e inkurajojmë zonjën Janeva, që të jetë e vëmendshme, për shkak se bëhet fjalë për njerëz edhe për Kumanovën, të jetë e vëmendshme, për shkak se shqiptarët janë shumë të ndjeshëm për këto dy pika. Kjo do të jetë një test i madh për të. Maqedoninë këto dy pika mund ta çojnë në një pozicion shumë delikat, ku shqiptarët mund të zgjohen në demonstrata“, tha Arsim Sinani.

Ministri Jashari tha se çdo gjë do të varet nga baza e përmbajtjeve të informacioneve dhe nga materialet që do ti dorëzohen prokurores speciale. Sipas tij, çdo kush ka të drejtë të dorëzojë fakte që kanë të bëjnë nga viti 2008 deri në vitin 2015.

Loading...