Moskë, shtimi i kishave has në rezistencë

Moska

Në kryeqytetin rus po rritet numri i banorëve që po protestojnë kundër uzurpimit të pronave publike nga kisha ortodokse. Muajve të fundit ka pasur edhe përleshje mes kundërshtarëve të ndërtimit të kishave dhe përkrahësve të këtij projekti të madh.

Në Moskë, qytet që po zhvillohet në të gjitha drejtimet, e me hapësira të gjelbra tepër të lakmuara, qindra banorë janë bërë bashkë për të mbrojtur parqet publike përballë asaj që ata e konsiderojnë si një përvetësim ilegal të tokave nga kisha e fuqishme ortodokse.

Dmitri Fedotov, një inxhinier që banon afër parkut Torfianka, në veri të Moskës, i është bashkuar javën e kaluar një grupi protestuesish që protestonin që nga gjysma e qershorit kundër projektit për të ndërtuar aty një kishëz.

“Ligji i ndalon ndërtimet në parqet publike. Por, kisha e anashkalon dhe po zapton hapësira të gjelbra pa asnjë konsultë. Krejt kjo pasi që autoritetet konsiderojnë se gjithçka që ajo bën nuk mund të jetë e keqe”, thotë i indinjuar ky i ri 28-vjeçar.

Tensionet janë rritur për një shkallë në fillim të korrikut pas një proteste të kundërshtuesve të projektit, gjë që ka shtyrë aktivistët pro-kishës të bëjnë roje para kantierit, ku herë pas here para një kryqi të drunjtë mblidhen gra me shami dhe kozakë të uniformuar.

Punët qenë ndërprerë muajin e kaluar, pasi që dy kampet u përleshën mes vete.

“Kishëza do ta bëjë parkun më të pastër sepse njerëzit do të sillen në mënyrë më të civilizuar”, vlerëson prijësi i përkrahësve të ndërtimit të kishëzës, Andrei Kormukhin, i cili kundërshtuesit e projektit i konsideron si agjentë të një komploti që po përgatit një kryengritje të orkestruar nga Perëndimi.

Kisha ortodokse ruse ka dalë e traumatizuar nga epoka sovjetike, pas më shumë se shtatëdhjetë vjet persekutimesh. Gjatë kësaj periudhe, shumë objekte fetare janë shkatërruar ose shndërruar në ndërtesa administrative.

Mirëpo, sipas shifrave që i jep kleri, më shumë se 22.000 kisha që ishin rrënuar ose braktisur në kohën e Bashkimit Sovjetik janë rindërtuar gjatë dy dekadave të fundit.

Edhe influenca e kishës, sidomos në sferat e shtetit, ka shënuar një ngritje spektakolare nën presidencën e Vladimir Putinit, i cili gjatë mandatit të tij të parë ka miratuar një mandat për t’iu rikthyer klerit ortodoks pasuritë që i janë konfiskuar nga komunistët.

 

Influenca në rritje e kishës

Kështu që, tani, kisha ortodokse ka një vend të madh në debatin publik dhe udhëheqësi i saj, patriarku Kiril, nuk heziton më të shprehet rregullisht rreth politikës së qeverisë, duke i ngatërruar edhe më shumë vijat ndërmjet kishës dhe shtetit.

Më 2013, deputetët rusë shkuan deri atje sa të miratojnë një ligj kundërthënës, i cili ndëshkon “fyerjen e ndjenjave fetare të besimtarëve”.

“Vetëm besimtarët mund të ndihen të ofenduar me këtë ligj. Por çfarë të bëhet me ndjenjat e personave të tjerë? A kanë të drejtë ata të ndihen të ofenduar”, pyet me zemërim Dmitri Fedotov.

Mirëpo, sipas militantit Oleg Larine protesta janë mbajtur për gati gjysmën e 20 kishave të reja që kanë dalë mbi dhe në kuadër të këtij projekti të madh.

Në qershor, më shumë se 60.000 njerëz kanë nënshkruar një peticion online kundër ndërtimit në një kodrinë të Moskës të një shtatoreje 24-metërshe të princit Vladimir, i shenjtë ortodoks, i cili ka konvertuar Rusinë mesjetare në krishterim në shek. X. Për këtë arsye, autoritetet komunale janë zbythur përballë vullnetit popullor dhe po kërkojnë një vend tjetër për këtë shtatore monumentale. Megjithatë, mosmarrëveshjet rreth çështjes së kishave apo shtatoreve nuk kanë të ndalur.

 

Rilindja e religjionit

“Kisha nuk ka më vetëm rol shpirtëror në jetën e njerëzve. Ajo është bërë një institucion i fuqishëm politik e ekonomik në Rusinë e sotme”, vlerëson avokati Anatoli Pchelintsev, i cili është edhe anëtar i komitetit parlamentar për organizatat fetare.

Sipas një hulumtimi të vitit 2013 të qendrës së pavarur Levada, vetëm një çerek e rusëve vlerësojnë se kisha ortodokse luan rol shumë të rëndësishëm në shoqëri, për dallim nga 48% që vlerësojnë se roli i saj nuk është tepër i madh.

Mirëpo, një tjetër hulumtim ka treguar se me gjithë rilindjen e përgjithshme të ndjenjës fetare te popullata, vetëm 14% e rusëve shkojnë në kishë së paku një herë në muaj.

“Kishat e Moskës kurrë nuk mbushen, madje as për festa fetare. Inteligjencia dhe një pjesë e popullatës nuk e kuptojnë pse duhet të ndërtohen më shumë kisha”, thotë z. Pchelintsev.

Sa i përket kapelës në parkun Torfianka, një gjykatë do të vendos për fatin e saj gjatë muajit korrik. /Zëri/

Loading...