Çdokush që është në moshë mbi 65 vjet e që ka probleme shëndetësore, gratë shtatzëna apo punonjësit shëndetësor, duhet vaksinuar kundër gripit sezonal një herë në vit.

“Për çdo vit rreth 500.000 njerëz në mbarë botën vdesin për shkak të ndërlikimeve që shkakton gripi. 10% e këtyre rasteve ndodhin në Evropë. Sipas dr. Karolin Braun nga OBSH për Evropë, shumë nga këto jetë mund të shpëtohen me një veprim të thjeshtë: vaksinimin kundër gripit sezonal. Brenda një viti së paku 30 milion njerëz në rajonin e Evropës vendosin të vaksinohen kundër gripit. Çdokush që është në moshë mbi 65 vjet e që ka probleme shëndetësore, gratë shtatzëna apo punonjësit shëndetësor duhet të jetë një nga ato.

Personat në moshë mbi 65 vjet dhe personat me probleme shëndetësore janë më të rrezikuar!

Gripi tek personat e infektuar shkakton një gjendje të pakëndshme që zgjat për disa ditë, por zakonisht njerëzit e marrin veten shumë shpejt. Megjithatë, për personat që kanë një spektër më të gjerë të problemeve shëndetësore, gripi mund të jetë një sëmundje serioze, e madje edhe fatale.
Ata që janë më të rrezikuar nga ndërlikimet më të rënda të shkaktuara nga gripi janë personat mbi 65 vjet  – tetë nga dhjetë raste të vdekjes të personave të kësaj grupmoshe janë si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga gripi. Kjo ndodh sepse sistemi imunitar me kalimin e viteve dobësohet dhe bëhet më pak efikas në luftën kundër infeksioneve, si për shembull, gripin. Gjithashtu, nëse personi i sëmurë paraprakisht ka pasur problem me zemrën, diabet, sëmundje kronike të mëlçisë, veshkave ose mushkërive, gripi mund t’ia përkeqësojë gjendjen dhe të jetë vdekjeprurës.

Mënyra më efikase për ta parandaluar infeksionin apo ndërlikimet si pasojë të gripit është vaksinimi!

OBSH/EVROPË personave në moshë mbi 65 vjet dhe atyre me probleme shëndetësore u rekomandon që të vaksinohen kundër gripit çdo vit. Vaksinat kundër gripit janë të sigurta, ndërsa efektet e padëshiruara janë minimale, sidomos nëse krahasohen me rrezikun nga ndërlikimet si pasojë e gripit.
“Një numër i madh i personave në moshë mbi 65 vjet dhe i personave që kanë probleme shëndetësore nuk janë të vetëdijshëm se si ndikon gripi në shëndetin e tyre, e prandaj edhe nuk vaksinohen. Qasja ndaj gripit si një sëmundje e parrezikshme është e gabuar, sidomos për këta persona. Me vaksinim tek ato mund të zvogëlohet rreziku nga ndërlikimet dhe vaksinimi duhet bërë çdo vit, jo vetëm një herë, sepse viruset e gripit ndryshojnë. Në Evropë, kulminacioni i sezonit të gripit zakonisht ndodh në vjeshtë dhe në dimër, me ç’rast tetori është muaji më i mirë për tu vaksinuar”, thotë Karolin Braun.

Gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësor gjithashtu kanë nevojë për vaksinim!

OBSH u rekomandon grave shtatzëna të vaksinohen kundër gripit sepse ato janë më shumë të prirura për të zhvilluar një formë më të rëndë të sëmundjes pas infektimit me virusin e gripit, e kjo gjë mund të ketë pasoja negative edhe për fetusin. Dhe që është edhe më me rëndësi, vaksina kundër gripit e pranuar gjatë shtatzënisë e mbron edhe foshnjën në muajt e para të jetës.
Edhe punonjësit shëndetësor konsiderohen si një grup i rrezikuar për shkak të ekspozimit ndaj viruseve të ndryshme për çdo ditë, përfshirë këtu edhe virusin e gripit, e prandaj duhet të mbrohen.

Fushata e OBSH për ngritjen e vetëdijes për gripin dhe vaksinimin kundër gripit në vendet evropiane

Këtë vit, disa vende në Evropë, po fokusojnë aktivitetet e tyre kah grupet e rrezikuara.

Kroacia – Gjatë sezonit të gripit, Ministria e shëndetësisë dhe OBSH organizojnë ligjërata dhe diskutime për qytetarët dhe punonjësit shëndetësor në lidhje me gripin dhe vaksinimin kundër gripit. Këtë vit, mjekët amë personave mbi 65 vjet dhe personave me probleme shëndetësore u shpërndajnë fletushka me informacion për gripin dhe vaksinimin dhe përmes medieve bëhet thirrje për vaksinim.
Romania – OBSH në bashkëpunim me Shoqatën e mjekëve amë bëri një video të shkurtër për promovimin e vaksinimit kundër gripit për katër grupet e rrezikuara.
Estonia – Ministria e punëve sociale, Këshilli shëndetësor, OBSH dhe punonjësit shëndetësor këtë vit po punojnë në një projekt të ri. Në të janë përfshirë mjekët amë të cilët personave mbi 65 vjet u dërgojnë kartolina me mesazhe ku theksohet rëndësia e vaksinimit.
Polonia – Instituti kombëtar i shëndetit publik i ftoi gazetarët në një mëngjes pune për t’i informuar për gripin dhe vaksinimin dhe pse disa njerëz janë më të rrezikuar se sa të tjerët.

Letonia, Lituania dhe Serbia shpërndajnë posterë dhe fletushka për qendrat shëndetësore në nivel lokal dhe kombëtar dhe japin mesazhe qenësore përmes faqeve relevante të internetit.

Fushata për ndërgjegjësim për gripin dhe vaksinimin kundër gripit

OBSH/ Evropë filloi Fushatën për ndërgjegjësim në lidhje me gripin dhe vaksinimin kundër gripit në vitin 2013, si vazhdim i javës evropiane të imunizimit.
Por, pse duhej një fushatë enkas për gripin?
Gripi zakonisht nuk është një sëmundje e rëndë dhe pjesa më e madhe e njerëzve shërohen shumë shpejt. Megjithatë, kjo sëmundje respiratore infektive e shkaktuar nga viruset e gripit kohë pas kohe mund të shkaktojë sëmundje serioze dhe vdekje.
Mënyra më e mirë për ta ndaluar infeksion është vaksinimi. Duke pasur parasysh që viruset e gripit ndryshojnë, është e nevojshme që vaksina të pranohet çdo vit që të jemi në hap me viruset që qarkullojnë në rajon. Në hemisferën veriore, kulminacioni i sezonit të gripit zakonisht ndodh në vjeshtë dhe në dimër, me ç’rast tetori është koha më e përshtatshme për ta pranuar vaksinën dhe për të filluar fushatën.
Fushata ka për qëllim rritjen e përfshirjes me vaksinim kundër gripit sezonal të grupeve të rrezikuara. Disa persona, siç janë të moshuarit, shtatzënat, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore janë më të rrezikuar nga zhvillimi i ndërlikimeve serioze si pasojë e gripit. Punonjësit shëndetësor për çdo ditë ekspozohen ndaj një numri të madh virusesh, përfshirë këtu edhe virusin e gripit.
OBSH/ Evropë përgatiti materiale që do përdoren gjatë Fushatës, por  gjithashtu edhe gjatë gjithë sezonit të gripit. Mesazhet në fushatë u janë përshtatur grupeve dhe njerëzve të ndryshëm dhe përcillen përmes posterëve, doracakëve, reklamave në gjuhët lokale.

Loading...