I intervistuari i rradhës në intervistën e Almakos “3pyetje nga Mensur Krasniqi” për këtë të enjte ka qenë Sekretari i përgjithshëm i partisë së re“UNITETI”, Muhamed Ismaili. Ai në kuadër të kësaj interviste ka shpreh qëndrimet partiake lidhur me katalizatorët që e shkaktuan krizën politike në vend, rolin e UNITETIT në zgjidhjen e kësaj krize, si dhe bashkëpunimin ndërmjet partive tjera opozitare. Sipas Ismailit heshtja politike për momentin dëshmon se asnjëra nga palët e angazhuara për zgjidhjen e krizës që vet e kanë shkaktuar, nuk janë dakord që kjo krizë të zgjidhet, ngaqë me këtë do nënkuptonte lëshimi i pushtetit dhe ndërrimi i kolltuqeve me dhomat e burgut. Ndërsa për bashkëpunimin me partitë opozitare ai vlerëson se për UNITETIN është diçka e domosdoshme ngaqë edhe vet emri i partisë flet për një gjë të tillë “unifikim”.

Mensur Krasniqi: Kriza politike në Maqedoni tashmë vijon të zgjas një kohë shumë të gjatë, ndërsa nga ana tjetër partitë politike parlamentare të angazhuara për ta nxjerrë nga kjo situatë Maqedoninë assesi të ulen në një tavolinë të përbashkët. Pse?

Muhamed Ismaili: Është e qartë se krizën nuk mund t’a zgjidhin ata që e kanë krijuar. Kaloi një vit nga fillimi i negociatave për dalje nga kriza e thellë politike në vend dhe duket se roli i ndërkombëtarëve vetëm si ndërmjetësues nuk është i mjaftueshëm. Çështja kryesore nga Marrëveshja e Përzhinos nuk është vënë në funksion plotësisht, pasi puna e Prokurorisë Speciale po shantazhohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga partitë në pushtet, liderët e të cilave duhet të përfundojnë pas grilave, por edhe nga gjykatat të cilat janë nën kontroll të plotë të këtyre keqbërësve në pushtet. Deri diku është e kuptueshme, pra, pse rezistohet zgjidhja e plotë e krizës, pasi rëndë dikush do nënshkruante për të ndërruar kolltuqet e pushtetin me dhomat e burgut.

Mensur Krasniqi: Po cili është roli i “UNITETIT” në zgjidhjen e kësaj krize? Çka keni ndërmarrë deri tani?

Muhamed Ismaili: “Unitetit” është paraqitur si domosdoshmëri e kohës. Qëllimi ynë është t’u ofrojmë qytetarëve fillimisht shpresë dhe ofertë. Ofertë të re, serioze, ofertë që do të sigurojë jetë dinjitoze, standard të mirë për të jetuar, siguri, barazi, etj. gjeneratës së tanishme dhe gjeneratave të ardhshme. Ne jemi të bindur se ëndërra për një “Zvicër të Ballkanit” në Maqedoni është e mundur. Vetëm duhet qytetarët të mendojnë për të mirën e së ardhmes së tyre dhe të zgjedhin njerëz me vlera, me kapacitete, që nuk korruptohen dhe që e duan të mirën e vendit të tyre më tepër se interesin personal. Ky është edhe profili i kuadrove që po aderojnë çdo ditë e më shumë në “Unitet”.
“Uniteti”, gjithashtu, nëpërmjet deputetit të saj në Kuvend, si dhe në kontaktet që zhvillon me faktorin ndërkombëtar po jep kontributin e saj në drejtim të daljes nga kriza politike. Arrestimi i të gjithëve që kanë keqpërdorur pushtetin, kthimi i pasurisë që funksionarë të ndryshëm kanë vjedhur nga qytetarët, vendosja e demokracisë në vend, sundimi i së drejtës për të gjithë qytetarët njësoj, mosdiskriminimi në baza të ndryshme,.. si dhe plotësimi i kushteve për mbajtje të zgjedhjeve në të cilat nuk do të cënohet vullneti i asnjë qytetari, janë prioritetet në të cilat po punon “Uniteti” së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe me qytetarët.

Mensur Krasniqi: Cili është bashkëpunimi juaj me partitë opozitare si parlamentare ashtu edhe jashtëparlamentare, dhe a vlerësoni se momentalisht bashkimi i rradhëve është i vetmi kusht për t’a zbritur nga pushteti BDI-në?

Muhamed Ismaili: Partia që jo rastësisht është emëruar “Unitet”, edhe pse e formuar dhe e regjistruar së fundmi, ka arritur të strukturohet në pjesën më të madhe të territorit, por njëkohësisht edhe të vëndojë ura lidhëse mes të gjitha subjekteve politike opozitare, dhe subjekte tjera jopolitike që janë të interesuara për ndryshim pozitiv në vendin tonë. “Uniteti” është dhe do të ngelet i hapur për bashkëpunim me të gjithë që janë nisur në të njejtin rrugëtim. Ky rrugëtim është sa i rëndë, aq edhe i gjatë dhe i mundimshëm, andaj nevoitet një unitet i vërtetë dhe i fuqishëm. Qëllimi nuk është të “zbritet një parti nga pushteti”, por të nxirret shteti nga kjo humnerë në të cilën na sollën njerëz të papërgjegjshëm, të korruptuar dhe të paaftë. Jam më se optimist se kjo dë të arrihet, pasi populli nuk duron dot më këtë gjendje mizorie. Ne megjithatë nuk gjendemi në një cep të globit, jemi ndër europianët më të lashtë./ Almakos

Loading...