Mungon ilaçi i kimioterapisë, pacientja: Do vras veten, nuk kam rrugë tjetër…

“Do vras veten se nuk kam rrugë tjetër…”

Këto janë fjalët e pacientes 36-vjeçare, e cila prej 13 vitesh lufton me kancerin.

Ajo nuk pranon të identifikohet për kamerën pavarësisht se ka mbetur krejtësisht pa shpresë për sa i përket përmirësimit të shëndetit. Prej muajsh një shqetësim më vete i saj është mungesa e ilaçit Etoposid në spitalin Onkologjik, i nevojshëm për seancat 20 ditore të kimioterapisë. E vetmja mundësi është ta gjejë këtë ilaç privatisht në farmaci.

“Vjen një herë, herën tjetër nuk e gjej. Më duhet të shpenzoj 700 mijë lekë në ditë për të blerë ilaçin.”

Lindita ka mbetur e paralizuar pas një operacioni duke e lënë atë në pamundësi për të punuar. Të ardhurat e vetme ekonomike janë ato që merr nga ndihma sociale në bashkinë e Beratit.

“Marr vetëm një asistencë që nuk më del për të ardhur nga Berati në Tiranë. Kam një fëmijë në shtëpi që po më kalon një traumë të madhe, që më thonë o mami do të të shes veshkën për ty.”

Mungesa e ilaçit të kimioterapisë është një shqetësim disa mujor për shumë pacientë që janë të shtruar në pavionin e Onkologjikut. Edhe Fatmiri pohon të njëjtën situatë për kamerën.

“Kam 3 muaj që vij në spital, javët e fundit më kanë thënë që ilaç nuk ka dhe detyrohemi ta blejmë vetë.”

Por sa është kosto e një dite për një pacient?

“50 mijë lekë të vjetra përditë për ilaçe që i blej vetë. U drejtova edhe tek drejtoria dhe më thanë që ilaç nuk ka dhe nuk do të ketë derisa të kemi një kontratë të re me shtetin.”

Deri në marrjen e furnizimit të radhës në depot farmaceutike, shpresa e vetme e këtyre pacientëve janë lutjet, ndërkohë që sëmundja përparon çdo ditë.

Loading...