Dy femra myslimane që tashmë 25 vite jetojnë në Zvicër. Më herët, për to religjioni nuk ishte ndonjë temë e veçantë. Aktualisht, njëra nga to është e mbuluar me vello, ndërsa tjetra nuk dëshiron të jetojë me besim. Dhe që të dyja nuk mirëkuptohen, shkruan „Beobachter.ch“, njofton „Shtegu.com“. Çfarë mendojnë këto dy gra? Njëra pro dhe tjetra kundër.
Pro: „Vetëm pse kam vendosur një vello, nuk do të thotë se e kam lënë trurin“.

kopftuch-pro

Esma Andov, 53 (për shkak të mbrojtjes së identitetit, emri i saj është ndryshuar)

Tashmë dy vite jam duke e bartur hixhabin dhe nuk dua të jem më pa te. Me vite të tëra kam bartur rrobe me emra të njohur të prodhuesve, isha e mahnitur me pamjen time. Sot jam shumë e hidhëruar që e përcillja aq gjatë këtë diktat të modës. Kam investuar të hollat e mia në gjëra të cilat nuk më janë nevojitur, në vend se t`ua dhuroj atyre të cilët kanë uri.

Tani jam 53-vjeçare dhe asnjëherë në jetë nuk jam ndjerë më e lumtur, më e sigurt dhe më e mbrojtur. Përse një grua duhet t`i prezantohet opinionit? Aq shumë burra të huaj të shohin, të gjykojnë dhe të krahasojnë me të tjerat. Çfarë fitojnë gratë me këtë? Me veshjet bashkëkohore femrat vetëm krijojnë probleme, xhelozi, zili, dhunë në mes burrave dhe pasiguri në mesin e grave. Kështu dukem sot dhe për këtë i mbaj hixhabin dhe vellon kur eci rrugës.

Mua më fascinojnë gratë siç është Shën Maria: femër, por pa grim, natyrale. Në Kuran është një homologe e saj: Mariam. Këto janë idhujt e mi, kur unë e mbaj një mbulesë. Natyrisht se ka femra të cilat hixhabin e mbajnë nga presioni që kanë nga babai ose burri, por kjo nuk është në rregull.

Jam e rritur në Maqedoni, ballëpërballë një xhamie. Si fëmijë aspak nuk më pëlqenin xhamia, aq më pak imami, por gjithashtu edhe njerëzit të cilët luteshin në xhami. Ata pështynin në tokë, por edhe pëkundër faktit se i kishin bashkëshortet e tyre të mbuluara, ata shikonin në gratë e huaja. Ishim myslimanë vetëm në letër, por në familjen time feja nuk luante aq rol të madh. Në atë kohë babai im më kishte mësuar vetëm një lutje të cilën çdokush e dinte.

Për mua me rëndësi ishte vetëm sporti. E vijoja gjimnazin sportiv, luaja si gjysmëprofi në hendboll dhe në të njëjtën kohë ushtroja gjimnastikë. Ushtrimet ishin të rënda dhe nuk kisha shumë kohë të lirë.
Me 20 vite u martova, bashkëshorti im ishte oficer ushtrie dhe pak pas martesës sonë u zhvendosëm në Kroaci, në Split, mu pranë detit. Një vit pas martesës na lindi djali i parë, pas pak edhe i dyti. Kisha të punësuar, një shtëpi të madhe dhe bënim një jetë të mrekullueshme. Më pas erdhi lufta dhe burri im u dashtë të arratisej. Në vitin 1991, me fëmijët tanë erdhëm në një qendër strehimi në Zivicër. Nuk e kisha dert për fillimin e ri, që të dy kishim studiuar; mendoja se mund të ushtroja një punë si trajnere. Por na u paraqitën probleme të mëdha, pasi as Maqedonia e as Kroacia nuk donin të na pajisnin me pasaporta. Ishim thjeshtë, pa asnjë shtetësi, të bllokuar në parajsë. Viteve të para jetuam pa njohje të statusit refugjat, në një fshat të vogël të dominuar nga Partia zvicerane SVP, ndërsa nuk kishim të drejtë pune.
Por, ne mundoheshim t`i arrinim qëllimet tona. Pas tre muajsh fillova të flasë gjermanisht në mënyrë të rrjedhshme. Bënim gjithçka në mënyrë që të integroheshim dhe për pak kohë do të asimiloheshim. Angazhohesha në fshat, fëmijët luanin në një ekip futbolli. Përpos kësaj, askush nuk na akceptonte. Fëmijëve tanë në shkollë u thonin „Jugos“. Ishte kohë e vështirë. Në Kroaci i përkisnim shtresës së lartë, ndërsa këtu trajtoheshim si lebrozitë.

Diploma ime nuk u nostrifikua, profesionalizimet e mëtejshme nuk munda t`i përfundoj. Bile, kisha gjetur një punë si fizioterapeute, por pa leje qëndrimi të rregullt nuk më pranonin. Bashkëshorti më dërgonte që të pastroj, për tre franga në orë. Një herë na vizitoi një përfaqësues i kishës krishtere. Ai na tha se do të na ndihmonte në rregullimin e leje qëndrimit në rast se ne e pranonim fenë e tij. Ai na shoqëroi në kishë, por religjioni i ri nuk më përshtatej. Edhe pse asnjëherë nuk isha falur, ndjeva se kam një lidhje me Allahun. Pastaj, burii im i lexoi Kuranin dhe Biblën dhe atij gjithashtu Kurani iu dukë më i afërt.
Më vonë, kur më në fund e fituam të drejtën që të punësoheshim, e gjeta një punë në një sipërmarrje për larje të rrobeve. Në mbrëmje ndonjëherë as që mund të rrija në këmbë pasi puna ishte shumë e rëndë, por isha e lumtur që më në fund nuk kisha më nevojë për të holla nga komuna. Përpos kësaj, ende nuk ndjeheshim të rehatshëm. Në këtë periudhë bashkëshorti im filloi të lutet. Këtë, sot e shoh kështu: Zoti i është drejtuar atij dhe e ka përkrahur. Ai e di se kur i është i nevojshëm. Unë nuk arrija që të lutesha çdo ditë, në sipërmarrje gjatë ditës ishte vështirë, ndërsa në mbrëmje isha tepër e lodhur.

Gjithnjë e kam lutur Zotin që të më falë për faktin se nuk jam lutur, që nuk kam agjëruar, që nuk kam shkuar në xhami. Vetëm tani, kur e kam lexuar Kuranin, jam e bindur se Zoti i falë ata të cilët pendohen dhe ata të cilët i luten rregullisht. Pra, unë kam bërë shumë gjëra në mënyrë të drejtë, edhe pse në atë kohë nuk i kam praktikuar.

Duke iu falënderuar disa miqve zviceranë, gjatë këtij viti kam qenë fizikisht e shëndoshë. Tashmë e di se këtë ma ka dhuruar Zoti. Është interesante se shumica e miqve janë gjithashtu besimtarë, natyrisht, të krishterë.

Tash e një kohë të gjatë jam e paaftë për punë me një përqindje mjekësore prej 50 për qind. „Ju jeni shembulli më i mirë se si sporti është vrasje“, më thanë në një klinikë dhe unë e pranova si poshtërsi këtë. M`u dukë vetja se jam gënjeshtare, u deziluzionova. Por, Zoti e njehë brendësinë e shpirtit të njeriut. Ate nuk mund ta mashtrosh.

Unë dua të fitoj përshtypjet personale nga Kurani, jo ato për të cilat shkruajnë mediet. Unë i vizitoj rregullisht xhamitë dhe mund të them se në këto vende nuk apelohen të rinjtë për tu rekrutuar në ISIS. Djali im i madh jeton konsekuent sipas Sunna. Kjo do të thotë: Ai mban mjekërr, lutet pesë herë në ditë, nuk konsumon alkool, nuk dëgjon muzikë dhe është martuar me një grua të mbuluar. Djali im i vogël falet vetëm në mëngjes. Në Islam nuk ka detyrime. Askush nuk më beson, por kur i pyes shoqet e mia zvicerane nëse unë ju dukem se jam grua e shtypur, ato qeshen me të madhe. Ato më njohin dhe e dinë se unë e bëj atë që mendoj se është e drejtë.

Shpresoj se të gjithë zviceranët do të më besojnë, pasi njeriu lexon gjithçka tjetër. Dua vetëm që të më pranojnë ashtu siç jam: I njëjti person si edhe më parë. Vetëm pse kam vendosur një vello, nuk do të thotë se e kam lënë trurin.

Kundër: „Është e pakuptimtë që feja të jetë një temë për mua“

kopftuch-kontra_01

Farida Hoxha, 51 (për shkak të mbrojtjes së identitetit, emri i saj është ndryshuar)

Do të qëndroja publikisht prapa deklaratave të mia dhe do të shprehesha me emrin e vërtetë, por kohët kanë ndryshuar për myslimanët liberalë. Shumica e besimtarëve të devotshëm i përbuzin njerëzit si ne. Po të isha vetëm, do të rrezikoja, por fëmijët e mi kanë frikë. Që të dy tashmë janë kontaktuar nga besimtarët e devotshëm.

Është e pakuptimtë që në këtë mënyrë feja të jetë një temë për mua. Asnjëherë nuk ka qenë, edhe në Kosovë bile ku unë jam rritur. Pas shkollës së mesme u martova me një burrë i cili sikurse edhe unë, nuk ishte fetar. Ne hoqëm dorë nga betimi i martesës me hoxhë. Kjo nuk ishte diçka e pazakonshme, edhe pse kishte njerëz që dëshironin martesa jonë të dukej më ndryshe. Babai im ishte mësues, një njeri mjaft progresiv dhe i hapur. Edhe nëna ime për kushtet e atjeshme jetonte shumë e vetvendosur. Ajo punonte edhe jashtë shtëpisë, në një spital.

Megjithatë, në pubertet unë trajtohesha më ndryshe se vëllai im. Nuk guxoja të dilja jashtë me shoqet, rrobet e mia kontrolloheshin. Që në atë kohë, kjo më pengonte. Kur shkova te familja e burrit tim dhe u bëra nënë, vjehrra ime insistoi që unë të agjëroja gjatë Ramazanit dhe ta festoja Bajramin, një festë në fund të muajit të agjërimit. Këtë e bëra për respekt e jo nga bindja e brendshme. Më vonë, u emancipova, u punësova si referente gjyqësore dhe isha shpeshë jashtë shtëpisë.

Burri im ishte në opozitë, duke marrë pjesë shpeshëherë në demonstrata kundër regjimit të Millosheviçit. Punonte në një fabrikë si inxhinier makinerie dhe ishte aktiv edhe në sindikatë. Për shkak të angazhimit të tij politik, ai u arrestua gjatë vitit 1990.

Pas qëndrimit njëmuajsh në burg, arriti të arratiset. Dhjetë ditë të tëra nuk e dinim se ku gjendet, që më pas të na thërrasë. Ai kishte ardhur në Zvicër. Shumë shpejt u dëshmua se jeta më rrezikohej mua dhe fëmijëve. Gjatë një nate u përgatitëm me një valixhe dhe u larguam edhe ne.

Fillimi në Zvicër ishte shumë i vështirë, si për ne, po ashtu edhe për fëmijët. Na dërguan në një qendër zjarrfikëse nëntokësore, e pothuajse pas një viti, të gjithëve së bashku na vendosën në një dhomë të vogël, pa kuzhinë. Ishte me lagështi, e ndytë. Mbrëmjeve kishin uri pasi nuk ishte e lejuar që të merrnim gjëra ushqimore në dhomë, ndërsa kuzhina e përbashkët mbyllej në ora 18.00. Për çdo natë mendoja të kthehem në Kosovë. Këtu nuk kishim të drejtë të punonim, diplomat tona nuk u nostrifikuan. Ajo që na shpëtoi, ishte vijimi i rregullt që nga fillimi, i kurseve gjermane.
Pas dy vite e gjysmë erdhi edhe shpëtimi: Na e pranuan statusin e refugjatit dhe u pajisëm me leje qëndrim të rregullt. Me këtë, për mua ndryshuan shumë gjëra. Nuk mund ta paramendoj se çfarë do të ndodhte, po të qëndronim në këtë pozitë të pritjes. Më në fund, fëmijët mund të vijonin shkollimin, guxonim të kërkonim punë e banesë. Por, jo gjithçka shkoi ashtu siç duhet: Në ndërtesën në të cilën u vendosëm ishim të huajt e vetëm. Fqinjët tanë filluan të grumbullonin nënshkrime kundër nesh, pasi nuk dëshironin të jetonin me jugosllavë në ndërtesë.
Kjo zgjati derisa burri im, por edhe unë e gjetëm nga një punë, gjë e cila na ndihmoi shumë. Edhe pse për mua ishte shumë rëndë të punoja si shërbëtore, apo në ndonjë restoran. Përkundër kësaj, unë isha e lumutr që mund të jetoja këtu, në një vend në të cilin femrat janë të lira. Shpeshëherë disa myslimanë më bënin vërejtje përse nuk shkoja në xhami, apo përse nuk mbaja hixhab. Por, asaj kohe, për shumicën gjithashtu feja nuk ishte aq temë e preferuar.
Nga fundi i viteve të nëntëdhjeta, tek burri im u zbulua kanceri i mushkërive. Një sëmundje e pashërueshme, pak muaj më vonë, ai vdiq. Ishte një kohë shumë e vështirë, edhe për fëmijët. Deri në fund të jetës, burri im thoshte se është ateist. Pas vdekjes së tij, dy herë më tepër u vetëdijësova se sa mirë është të jesh në një shtet, në të cilin feja është një çështje private. Po të më ndodhte një gjë e tillë në Kosovë, unë nuk do të guxoja të shkoja nëpër festa, bile as edhe nëpër darsmat e farefisit më të afërt. Asgjë nuk do të guxoja të bëja që do të interpretohej si kënaqësi. Nga ana tjetër, një vejan mund të martohet vetëm pas disa javësh të vdekjes së bashkëshortes.
Edhe pse asnjëherë nuk kam pasur nevojë për ndonjë partner tjetër, koha e lirë për mua është shumë e rëndësishme. Për këtë, për mua është e vështirë t`i kuptoj myslimanet të cilat vetevetes i imponojnë kufizime. Për çdo ditë jam e lumtur që jam larg këtyre kufzimeve. Edhe pse me 50 vite më duhet ende të punoj, për të vazhduar jetën më tej. Për fat të mirë, jam profesionalizuar si ndërmjetësuese kulturore. Tash e disa vite kam kërkesa për përkthime dhe në të njëjtën kohë jam duke e udhëhequr një qendër kulturore të femrave. Unë e vlerësoj shumë diversitetin, pasi Krishtlindjet i festoj njësoj si Bajramin. Që të dyja për mua janë festa familjare. E gjithë kjo është ndoshta rezultat i luftës së Kosovës, me ç`rast fitova bindjen se feja mund të krijojë ndasi tek njerëzit.
Se gjithnjë e më shumë ka njerëz të cilët po e praktikojnë formën ekstreme të Islamit, po e vëzhgoj këtu dhe në vendlindjen time në Kosovë. Për mua është e pakuptueshme. Disa thonë se marrin të holla. Por, nuk e di nëse një gjë e tillë është e vërtetë. Sidoqoftë, unë i vlerësoj liritë të cilat si fëmër mund t`i shijoj këtu dhe do të bëj gjithçka që të qëndroj në këto parime.

Loading...