Florian Marku ia doli sërish. Nga Tirana në Ferizaj, fituesi mbetet i njëjtë, me luftëtarin kuqezi që arriti të mposhtë dhe rumunin Ioan Vranceanu, që u dorëzua në raundin e dytë, duke mos përballuar dot furinë e goditjeve të Markut, që konfirmoi ambiciet e tij për të arritur shumë në MMA.

Me një mbështetje maksimale edhe në pallatin e sportit “Bill Clinton” të Ferizajt, Marku mori dozën e nevojshme të karikimit nga publiku dhe pasi studio kundërshtarin e tij, filloi të kombinonte një seri goditjesh me gju, që e lanë të shtangur kundërshtarin rumun, që shkoi në tapet që në raundin e parë.

Një tjetër goditje me gju në raundin e dytë duket se filloi të tronditë rumunin, që e gjeti veten nën një breshëri grushtesh nga ana e Markut, duke kërkuar madje mëshirë kur ishte në tapet. Marku e kurseu goditjen e fundit, me gjyqtarin që mbylli takimin me dorëzimin e Vranceanut, duke i dhënë fitoren e radhës Markut, që njeh vetëm suksese në kafazin e MMA-së, aq sa në fund të sfidës konfirmoi dhe ambicien e tij për të arritur në nivelin më të lartë të këtij sporti në UFC.

Sfida edhe këtë herë u transmetuar live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport, pasi është bërë traditë tashmë që Digitalb të shndërrohet në sponsorin dhe mbështetësin kryesor të të gjithë sportistëve shqiptarë.

Loading...