Biblioteka Kombëtare me rastin e 170-vjetorit të lindjes së një nga figurave më të rëndësishme të rilindjes kombëtare shqiptare, Naim Frashëri, do të publikojë sot editimin dixhital të veprave të tij, të cilat mund të shfletohen dhe shkarkohen në faqen zyrtare të BKSH-së (www.bksh.al).

Pas përvojës me tragjedinë shekspiriane, “Othello – Arapi i Venedikut”, Arkivi Dixhital i BKSH-së pasurohet me veprën e plotë të rilindësit Naim Frashëri, e cila mund të lexohet dhe shkarkohet nga të gjithë pajisjet kompjuterike, smartphone dhe tablet, duke pasur kështu mundësinë për ta pasur me vete krijimtarinë naimiane.

16 tituj të rinj çelin shërbimin më të ri online që BKSH ofron për të gjithë përdoruesit e saj: “Dëshira e vërtetë e shqipëtarëvet” (1904), “Bagëti e Bujqësija” (1886), “Lulet e verësë” (1890), “Istori e Shqipërisë” (1899).

“Fletore e Bektashinjvet” (1908), “Dituritë për mësonjëtoret të para” (1888), “Qerbelaja” (1898), “Shqipëria” (1902), “Istori e përgjitheshme për mësonjëtoret të para” (1886), “Vjersa për mësoiëtoret e para” (1886), “Istori’ e Skënderbeut” (1898) “Mësime” (1894) si dhe “Gjithësija: (1895).

Krahas tyre do të publikohen edhe përkthimi nga Naim Frashëri i këngës së parë të “Iliadhë” (1896).

Arkivi Dixhital i Bibliotekës Kombëtare së fundmi është pasuruar me shërbimin më të ri, “LIBRA”, në të cilin do të publikohen në format elektronik libra të vyer të fondit arkivor të BKSH, duke u ardhur në ndihmë të gjithë studiuesve dhe përdoruesve të saj.

Si një pjesë e rëndësishme e fondit e-Albanica, që përfaqëson Bibliotekën Dixhitale Albanologjike të BKSH-së, krahas tyre janë përfshirë edhe tituj të rëndësishëm për historikun e periodikut shqiptar, si “Albania”, (1896-1913); “Dituria” (1909-1929), “Hylli i Dritës” (1921-1944) dhe “LEKA” (1929-1944), “Kalendari Kombiar” dhe “Përlindj’e Shqipëniës”.

Në këtë fond janë përfshirë edhe vepra të rralla të Bibliotekës Kombëtare, dorëshkrime, harta dhe periodikë, të shekujve XV-XIX në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.

Loading...