“Çdo aventurë ka nevojë për një bazë kampingu, një vend ku të vendosesh, të marrësh një guidë dhe në fund të ditës të pish diçka të ftohtë. Kjo është lista e nëntë vendeve ku mund të bëni alpinizëm, marshim apo të eksploroni, duke ndjekur këshillat e vendasve në strehat që ofrojnë”- Lois Parshley

Në këtë mënyrë nis përshkrimin e saj “National Geographic” për 9 vendet më të mahnitshme që duhen vizituar nga turistët që pëlqejnë natyrën.

Mes vendeve që këshillon gazetarja Lois Parshley renditet edhe Valbona.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, “veriu i Shqipërisë u bë pjesa më e varfër e atij që ishte në atë kohë vendi më i varfër i Europës”, thotë Catherine Bohne, e cila jeton në luginën spektakolare të Valbonës prej 10 vjetësh.

E shtrirë në ato që quhen Bjeshkët e Namuna, ky vend malor është një zonë e jashtëzakonshme dhe pak e shkelur. Kjo pjesë e Shqipërisë, ekuivalente me Zionin, ka ende shumë për të zbuluar.

Majat e thepisura janë formuar nga shkëmbinj spektakolarë të bardhë, ndërsa e gjelbra e pyjeve të bredhit dhe ahut formon një kontrast të thellë. Tashmë një park kombëtar, lugina është pjesë e Alpeve Shqiptare, të quajtura ndryshe Majat e Ballkanit.

Ngjitja drejt majave të thikta të jep mundësinë të shijosh erërat përgjatë luginës së qetë, bukurinë e kullotave dhe liqeneve akullnajore.

Vetë Valbona është një fshat i vogël me disa hane, madje deri vonë as rruga që e lidhte me qytetin nuk ka qenë e shtruar.

Mënyra më e mirë për të shijuar bukurinë e luginës është të qëndrosh në hanin më të hershëm. Mund të qëndroni në një nga dhomat-shtëpiza ose edhe të bëni kamping pranë lumit shkumëzues. Sidoqoftë, duhet patjetër të shijoni një nga pjatat tradicionale shqiptare si speca të mbushur ose djathë të skuqur.

Rakia që bëjnë banorët e zonës është ideale për ta shijuar, ndërsa kundron spektaklin e perëndimit të artë në luginë.

Vizitat duhet t’i bëni nga qershori deri në shtator.

Loading...