Nëse dëgjon partitë shqiptare, nuk ka dyshim se do mbështetet referendumi. Por, a mjafton kjo? Zhgënjimi që kanë njerëzit vjen nga fakti se politika ka gojën plot Evropë kurse veprimet e tyre nuk kanë as “E” nga Evropa, kështu vlerëson në një prononcim për Zhurnal, gazetari dhe opininisti Nazim Rashidi.

“Kërkesat e përditshmërisë janë bazike: rrugë, ujë, punë, libra, shkolla. Çështje që me vite do të duhej të ishin zgjidhur. Por nuk janë. Dhe kur politika, e gjithë klasa, bën thirrje për votime, përballur me këtë zhgënjim, ajo që mund të ndodhë, është indiferenca për inat të saj. Mos dalje për ta ndëshkuar atë. Por ky moment nuk ka vend për cinizëm. Këto votime nuk kanë lidhje se kë mbështesni si parti, por ka lidhje me një shkëputje thelbësore nga një e kaluar, mendësi dhe ideologji të cilën shqiptarët e kanë kërkuar me vite. Kjo kërkesë është në unison edhe me prirjet dhe tendencat ku do të përkasë edhe gjithë rajoni, shqiptarët e tjerë”, thotë për Zhurnal, Nazim Rashidi, gazetar dhe opininist.

Sipas tij, zemërimi ndaj partive dhe klasës politike nuk do duhet të sjellë zhgënjim që do ta bllokojë këtë aspiratë, që do ta bllokojë të ardhmen e fëmijëve, që do të ngrejë edhe një herë mure ndarëse mes rajonit, mes nesh.

Loading...