U luajtën plot 11 ndeshje në NBA e sigurisht ajo që bie në sy është fitorja e parë sezonale e Los Angeles Lakers, të udhëhequr tashmë nga LeBron James, 113-131 ndaj Phoenix Suns. Gjithsesi, ish-bashektbollisti i Cleveland Cavaliers nuk shfaqi formën e tij të zakonshme, duke u ndalur në 19 pikë, 10 asiste e 7 rikuperime. Më i mirë për Lakers rezultoi Stephenson me 23 pikë, 8 asiste dhe 8 rikuperime. Po 23 pikë realizoi edhe Booker për Phoenix.

Po në Perëndim, koleksionoi fitoren e katërt në pesë takimet e para Golden State Warriors, që me Stehpen Curry-n në superformë shkatërroi 144–122 Washington Wizards. Plot 51 pikë realizoi “ylli” i Warrios, që e ka nisur me marsh të fundit sezonin, ndërsa Kevin Durant shtoi edhe 30 pikë të tjera për Golden State. Një sfidë pa shumë histori kjo e “Oracle Arena”, ku kampionët në fuqi u shfaqën si një makineri e pandalshme, duke shënuar 80 pikë vetëm në pjesën e parë e 144 në total.

Bien sërish Houston Rockets, këtë radhë 89-100 përballë Utah Jazz. Spikati në këtë ndeshje Donovan Mitchel me 38 pikë, 7 asiste dhe 5 rikuperime, duke fituar duelin brenda sfidës me James Harden, që u ndal në 29 pikë e për fat të keq pësoi një demtim në bicepsin femoral, duke e mbyllur para kohe takimin. Për Rockets ishte disfata e 3-të në 4 sfidat e fillimsezonit.

Siguroi fitoren e katër radhazi Milwaukee Bucks, 123-108 ndaj Philadelphia 76ers, falë grekut Giannis Antetokoumpo, që realizoi “triple double”, 32 pikë, 18 asiste dhe 10 rikuperime. Ai bëhet basketbollisti i parë i NBA, që nga koha e Wilt Chamberlain, që në katër takimet e parë realizon +25 pikë dhe +15 rikuperime. Për Philadelphian nuk mjaftoi “tribpe double” i Ben Simmons (14-13-11) dhe 30 pikët e 19 rikuperimet e Joel Embiid.

Në Lindje vijojnë të pandalshëm marshimin Toronto Raptos, që iu imponuan 112-105 Minnesota Timberwolves. Mirë se erdhët në shfaqen e Kawhi Leonard! Ish-basketbollisti i Spurs realizoi 35 pikë, duke treguar se nuk është sa për të bërë një xhiro në radhët e skuadrës kanadeze. Për Minnesotën nuk mjaftuan 23 pikët e Jimmy Butler.

Cleveland Cavaliers në krizë të plotë në këtë fillim sezoni në Konferencën e Lindjes. Pa LeBron James skuadra nga Ohio humbi të katërtën radhazi 86-102 ndaj Brooklyn Nets.

Në takimet e tjera Miami Heat fitoi 110-87 me New York Nicks, Atlanta Hawks 111-104 me Dallas Mavericks, Chicago Bulls 112 – 110 ndaj Charlotte Hornets, San Antonio Spurs u mposht 96-116 nga Indiana Pacers, ndërsa Sacramento Kings triumfoi 97 – 92 me Memphis Grizzlies.

Loading...