Ndarja eventuale e Kosovës, që po e proklamon presidenti serb Aleksandar Vuçiq, mund të ketë domino efekt në mbarë rajonin, vlerësojnë diplomatët dhe ekspertët shqiptarë në Maqedoni.

“Ndarja eventuale e Kosovës do të dridh edhe kufijtë e Maqedonisë. Këtë e din edhe fëmija i vogël. Për këtë arsye Maqedonia duhet të përkushtohet që të ketë sukses referendumi dhe të anëtarësohemi sa më shpejtë në NATO. Pastaj shqiptarët e Maqedonisë do të kenë më shumë mundësi që të ndihmojnë Kosovën në mbrojtjen e kufijve të saj nga qëllimet e Serbisë dhe politikanëve proserbë shqiptarë për të ndarë Kosovën”, thotë për Gazetën Lajm, Semi Mehmeti, analist dhe ekspert për menaxhim paqësor të konflikteve ndërshtetërore.

Mehmeti tërheq vërejtjen se edhe te shqiptarët e Maqedonisë ekzistojnë subjekte dhe politikanë që dëshirojnë të dobësojnë pozitat e Kosovës kundrejt Serbisë. Në këtë kontekst, ai thotë se nuk guxojmë t’i harrojmë takimet e përfaqësuesve të disa partive politike shqiptare “me Tadiçin dhe gjeneralin serb Dikojeviq, i dyshuar për krime lufte në Kosovë”.
“Duhet të ruhemi nga Kolona e Pestë, respektivisht nga përkrahësit e Serbisë që na shiten si patriotë shqiptarë”, thekson Mehmeti.
Ndërkohë edhe diplomatët perëndimorë po bëjnë përpjekje maksimale për referendum të suksesshëm në Maqedoni. Ata tërheqin vërejtjen se VMRO-DPMNE ka filiale të veta brenda qeverisë aktuale që po bashkëpunojnë fshehurazi me presidentin Gjorgje Ivanov për të dështuar referendumi.
“Dashurinë 10 vjeçare që e kishin me Gruevskin e Mijallkovin, tani po e vazhdojnë me Ivanovin”, kanë thënë burime diplomatike.

Loading...