Diplomatë perëndimorë e kanë lutur miqësisht kryetarin BDI-së, Ali Ahmeti dhe partinë e tij që të mos përzihen shumë e shumë te referendumi për emrin, kanë theksuar burime diplomatike.
Frika e perëndimorëve është se çdo përzierje e theksuar e Ahmetit dhe e BDI-së në çështjen e referendumit, mund të reflektohet negativisht në daljen e shqiptarëve në referendum.
“Pas dhjetë vite koalicion me VMRO-në, Ahmeti dhe BDI janë bë sinonim negativ për shqiptarët e Maqedonisë. Prandaj çdo apel i tepruar nga ana e tyre për dalje në referendum, mund të ketë kundërefekt te shqiptarët dhe një pjesë e tyre të mos tregojnë interesim për të dalë në referendum”, kanë theksuar këto burime.
Ata thonë se BDI po mundohet të ngjitet në “trenin e NATOs dhe BEsë”, pasi u prish “treni i VMRO-DPMNE-së”, tren në të cilën kjo parti u vozit gati 10 vite me radhë edhe pse gjatë asaj periudhe shqiptarëve u ndodhën shumë tragjedi dhe të këqija.
“BDI po mundohet ta shlyejë të kaluarën e vetë me VMRO-DPMNE-në, duke u munduar të përvetësojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE. E vërteta është se meritat për këtë proces u takojnë shqiptarëve që rrëzuan regjimin VMRO-BDI, e jo BDI-së. Partia e Ahmetit madje e dëmtoi rëndë procesin e integrimit euroatlantik, duke përkrahur verbërisht politikat antiperëndimore të Gruevskit”, kanë theksuar diplomatët në fjalë.
Ata apelojnë te shqiptarët që masovisht të dalin në referendum dhe të vendosin anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, duke rikujtuar se çdo votë është e rëndësishme për të arritur censusin e lartë. Nuk kanë përjashtuar mundësinë që të ekzistojë marrëveshje e fshehur mes BDI-së dhe Ivanovit, për pasivzim të shqiptarëve dhe dështim të referendumit.
“Këto skenarë nuk do të kenë sukses, sepse shqiptarët masovisht do të dalin dhe do të votojnë, nuk do të bien as në grackën e BDI-së, e as të Ivanovit”, kanë theksuar diplomatët.

Loading...