Ndërron jetë kolosi i letrave shqipe, Dritëro Agolli

Prej ditësh, shkrimtari ndodhej i shtruar në Sanatorium dhe ditët e fundit gjëndja e tij shëndetësore ishte rënduar.

Kolosi i letrave shqipe, Dritëro Agolli. Shkrimtari i madh ndërroi jetë rreth orës 16:00 në sanatoriumin e Tiranës, ku ishte shtruar prej 9 ditësh pas një sëmundje të rëndë në mushkëri që e mundonte prej kohësh.

Në muajin tetor 2016, shkrimtari i njohur festoi 85-vjetorin.

Në vitet ’60 ai hyri në letërsi për t’i ndryshuar asaj përmasat. U bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhembjes njerëzore, duke ardhur ashtu origjinal siç ishte deri në ditët tona. Por pasditen e sotme zemra e kolosit të letrave shqipe, vendosi të ndalë.

Gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar shumë kohët e fundit, aq sa frymëmarrja e tij realizohej nëpërmjet furnizimit artificial me oksigjen.

Shkrimtari kurohej prej të paktën një viti në shtëpi duke refuzuar shtrimin në spital. Por pak ditë më parë, ai pësoi një përkeqësim të menjëhershëm që detyroi familjarët dhe mjekët ta shtronin me insistim në sanatoriumin e Tiranës, ku dhe qëndroi i shtruar 9 ditë derisa ndërroi jetë pasditen e sotme.

KRIJIMTARIA
Dritëro Agolli lindi në 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë.

Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje.

Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Agolli filloi të shkruajë vjershat e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”. Për poezinë e parë të botuar ai është shprehur: “Im atë e kish prerë pjesën e gazetës ku ishte botuar poezia, e kish vënë në kutinë e duhanit dhe mburrej në fshat: Ja ky është poeti im”.

Është cilësuar si novator i poezisë shqiptare në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike. Poezitë më të njohura të Dritëro Agollit janë, “Kur të jesh mërzitur shumë”, “Kur një mëngjes”, “Ëndërr e prerë”, të cilat dihen përmendësh nga shumë vetë. Ndërsa poemat më të vlerësuara janë: “Poemë për babanë dhe për vete” dhe “Devoll-Devoll”. Ndërkohë risi jo pak të rëndësishme Agolli solli dhe në metrikën e vargut. Në poezitë e tij është ndikuar dhe nga poetët rusë si Lermontov, Esenini, Pushkini etj. Kjo pas studimeve që bëri në Shën Petërburg, ku mori dhe bazat e letërsisë bashkëkohore.

ANGAZHIMI POLITIK
Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. U emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH­-së dhe deputet në disa legjislatura. Në vitet ‘90 ai u iniciator i reformimit të Partisë së Punës dhe njihet si themelues apo “patriark” i Partisë Socialiste duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Dritëro Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit.

VLERËSIMET
Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë
shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e
disa vendeve të botës. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Është shpallur “Qytetar
Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. U pranua anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj. Në 82 vjetorin e Lindjes në vitin 2013, shkrimtari i madh Dritëro Agolli është vlerësuar edhe me çmimin “Carlo Levi” në Itali.

Loading...