Humanisti Halil Kastrati me shoqatën e tij “Jetimët e Ballkanit” ka ndihmuar shumë familje në nevojë për ndërtimin e një strehe apo familjet që kanë pasur të sëmur. E tash ka një lutje për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e ka në gjendje kritike djalin e tij autist. Por krejt çka ai po kërkon nga bashkëkombësit e tij është një lutje për djalin e tij Uvejsin që është duke u shëruar në Beograd.

“O Zot ti je shëruesi më i mirë andaj të lutem shëroji të sëmurët. Kemi nevojë për lutjet e juaja’, ka shkruar Halil Kastrati në profilin e tij.

Kjo ka bërë që në profilin e tij të pasojnë qindra mesazhe solidariteti nga shqiptarët në Kosovë e më gjerë. Një prej tyre madje ka ofruar edhe dhurimin e veshkës. Por Kastrati ka sqaruar në një bisedë për Insajderin se cila është kërkesa e tij për qytetarët dhe cila është gjendja e djalit të shtrirë në spital aktualisht.

“E vetmja gjë që kemi kërkuar ne është një lutje te Zoti. Djali e ka një terapi të rëndë. Sot janë bërë të gjitha analiza dhe në mbrëmje fillon me terapi. Është një damar i trurit që infektuar pas një infeksioni në tru dhe djali e ka humbur shikimin. Po presim që të reagoj këto dy-tri ditë. E kemi pasur në Shqipëri, Maqedoni e Turqi, por vetëm në Beograd është arritur të nxirret diagnoza e saktë pasi i është bërë rezonanca”, ka thënë Kastrati për gazetën Insajderi.

Ai ka sqaruar se familja është në Beograd duke u kujdesur për djalin, derisa ai vetë aktualisht gjendet në Kosovë.

“Janë shumë dashamirë që na u kanë gjendur afër dhe po arrijmë ta përballojmë financiarisht, prandaj nuk kemi bërë thirrje për ndihmë financiare apo ndihmë tjetër siç janë paraqitur vullnetarë për dhurimin e veshkës nga veteranë të UÇK-së”, ka thënë Kastrati.

“Kemi pranuar shumë thirrje duke filluar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, pastaj politikanë të ndryshëm, nga njerëz të estradës e të tjerë. Edhe ju si media keni kryer punën tuaj dhe ju falënderoj”, ka thënë Kastrati.

Shoqata “Jetimët e Ballkanit” është një prej shoqatave më aktive në Kosovë që ndihmon familjet në nevojë. Deri tani kjo shoqatë ka ndërtuar apo siguruar mbi 150 shtëpi e banesa për familjet në nevojë, si dhe ka ndihmuar shumë familje me suhqime dhe veshmbathje, apo familje që kanë pasur nevojë për mbështeje financiare për trajtime të caktuara mjekësore.

Loading...