Ministria e Drejtësisë i lëshoi në shqyrtim publik, ndryshimet ligjore të Ligjit për parandalimin e korrupsionit. Ka ndryshime në kompetencat e Komisionit, në emërimin dhe përbërjen e tij, por edhe do të vendoset sistem kontrolli mbi anëtarët e Komisionit.

Komisionit antikorrupsion do ti precizohen kompetencat për ndjekjen e financimit të partive politike. Në rast se ekzistojnë dyshime për krim financiar, Antikorrupsioni do duhet me vetë iniciativë të nisë procedurë hetimore, dhe nëse ka dyshime për korrupsion, do të nisë procedurë para prokurorisë. Risi është se edhe noterët dhe përmbaruesit do të detyrohen të dorëzojnë të dhëna të sakta për pasurinë e tyre tek Komisioni për parandalim të korrupsionit. Komisioni antikorrupsion do ketë mundësi që në çdo kohë, të kërkojë të dhëna bankare për persona fizik dhe juridik dhe kjo nuk do të paraqet shkelje të fshehtësisë bankare.

Kështu me propozim ndryshimet ligjore, Komisioni do të numërojë 5 anëtarë, dy më pak se me ligjin e vjetër dhe ato do të kenë mandat 5 vjeçar, pa mundësi për rizgjedhje. Nënkryetari i komisionit do të ndërrohet me rotacion, çdo gjashtë muaj. Ministrja e drejtësisë Renata Deskovska tha se propozim ndryshimet ligjore përveç publikut të ekspertëve të Maqedonisë, do ti dorëzohet edhe komisionit evropian dhe apeloi deri tek të gjithë institucionet që të ndihmojnë në luftimin e korrupsionit.

“Ne jemi kompetent në pjesën e ligjit. Aktiviteti i gjykatësve, prokurorëve është shumë faktor i rëndësishëm…Unë dje bisedova me drejtorin për zgjerim të Unionit Evropian dhe u thash që, që sot do tua dorëzojmë propozim ligjin. Sa na takon neve, ne do ta lëshojmë ligjin në procedurë sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që edhe ky institucion të kyçet në mozaikun e institucioneve që e luftojnë korrupsionin”, deklaroi Renata Deskovska, ministre e Drejtësisë.

Deskovska shpreson që zgjedhja e Antikorrupsonit të bëhet para nisjes së skriningut, por gjithçka varet nga kohëzgjatja e debatit publik.

“Do të tentojmë që javën e ardhshme të organizojmë tryeza të rrumbullakta, ku do të bisedohet rreth ligjit. Unë do të kem konsultime edhe me partitë politike,ekspertët. Ne vlerësojmë se teksti është i mirë dhe jemi të gatshëm që nesër ta dërgojmë tekstin në Kuvend. Por gjithçka varet nga debati, nëse nuk ka ndonjë kritikë më serioze nga personat që janë kompetent në këtë fushë”, tha Deskovska.

Një anëtar i Komisionit Antikorrupsion, nuk guxon të ketë qenë deputet ose funksionar shtetëror ose anëtar partie, në të paktën dhjetë vitet e fundit. Do duhet të ketë arsim të lartë në fushën shkencore, ekonomike ose politike. Do duhet të ketë të paktën 15 vite përvojë pune, me të paktën dhjetë vite punë në fushën e luftimit të korrupsionit.

Personat që do të kandidojnë për anëtarë të Komisionit për parandalimin e korrupsionit, do të intervistohet publikisht, në Komisionin e Kuvendit për zgjedhje dhe emërime. Ky organ do të jetë edhe kontrollori i Komisionit në të ardhmen, dhe në çdo kohë, do të ketë mundësi që për çdo anëtar të Komisionit Antikorrupsion, të kërkojë raporte nga Drejtoria e të ardhurave publike ose bankat. Intervistimi i kandidatëve do të transmetohet direkt në kanalin televiziv të Kuvendit. Pas filtrimit, Komisioni i Kuvendit për zgjedhje dhe emërime do t’ia dorëzojë Kuvendit listën përfundimtare me kandidatët e mundshëm për antikorrupsionerë.

Loading...