Ndryshimet kushtetuese do të hynë nesër në procedurë kuvendore në Komisionin për Kushtetutë, kurse në seancë plenare do të jenë të hënën, transmeton Portalb.mk.

Seanca e Komisionit për Kushtetutë do të mbahet nesër, e mërkurë me fillim prej ora 12:00.

Seanca plenare do të mbahet në ora 11:00, të hënën, më 15 tetor.

Edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev paralajmëroi se nesër më së voni propozimi i Qeverisë së Maqedonisë për ndryshimet kushtetuese që parashihen me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë do të hynë në procedurë kuvendore.

Për miratim të propozimit të Qeverisë së Maqedonisë, nevojitet vota “për” e 80 deputetëve të Maqedonisë, për të cilën sot kryeministri Zaev nuk dëshiroi që të precizojë se a janë siguruar ose jo.

Sipas Rregullores së Kuvendit, nëse pushteti siguron shumicë, procedura për ndryshimet kushtetuese do të zgjatë mbi 100 ditë.

Qeveria e Maqedonisë ka publikuar ndryshimet kushtetuese që parashihen me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Kushtetuta e Maqedonisë do të pësojë ndryshime në katër nene, më së voni deri në janar të vitit 2019, transmeton Portalb.mk.

Ja çfarë përmban propozimi për ndryshimet Kushtetuese:

Shtesë në emrin aktual të Republikës së Maqedonisë me atë: Republika e Maqedonisë Veriore
Në të gjithë Kushtetutën e shkruar të Republikës së Maqedonisë para fjalës Maqedoni do të shtohet parashtesa ‘e Veriut’.

Ndryshime në preambulën e Kushtetutës
Në përputhshmëri me preambulën dhe marrëveshjen me Greqinë, preambula do të pësojë disa ndryshime.

Garanci për kufijtë e territorial të Republikës së Maqedonisë
Në nenin 3 të Kushtetutës së Maqedonisë është rregulluar se territori i Republikës së Maqedonisë është i pandashëm dhe patjetërsueshëm.

Kujdes për qytetarët e Maqedonas në diasporë dhe më gjerë
Nën Nenin 49 të Kushtetutës është shkruar se Republika e Maqedonisë kujdeset për gjendjen e të drejtat për komunitetin maqedonas në vendet fqinje dhe mërgimtarët. Ndihmon në zhvillimin e tyre kulturor dhe avancon lidhjen me ta.

Sfida e radhës – sigurimi i 80 deputetëve
Që të miratohen ndryshimet kushtetuese duhet të sigurohet vota “për” nga 80 deputetë. Zyrtarisht, deri tash shumica paralamentare ka 72 deputetë që do të votojnë “për”, kurse mes deputetëve opozitarë dhe të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) janë duke u zhvilluar negociata që të siguroheshit edhe vota “për” e 8 deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Jo zyrtarisht, thuhet se deri tash është siguruar vota “për” e 82 deputetëve.

Afati i fundit kur deputetët e shumicës duhet të arrijnë marrëveshje me deputetë e opozitës është dita e premte, dhe pas kësaj ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë në leximin e parë. Për miratim të ndryshimeve në leximin e parë duhen 80 vota “për”, në leximin e dytë duhen vota “për” e 61 deputetëve dhe në leximin e tretë duhen sërish 80 vota “për”.

Loading...