Lala Begum e cila është strehuar në Bangladesh pas sulmit të ushtrisë së Mianmarit në Arakan, duke theksuar se bashkëshorti dhe djali i saj janë vrarë, është shprehur se në familjen e saj nuk ka mbetur më asnjë mashkull dhe se ajo është larguar duke ecur për 60 km brenda pyllit, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëna e martuar me 7 fëmijë Begum në një deklaratë për gazetarin e AA-së ka treguar se ata kishin një jetë të qetë para se të fillonin ngjarjet në Arakan.

Ndër të tjera Begum ka shpjeguar se bashkëshorti i saj punonte, fëmijët i kishte pranë dhe se ato vazhdonin jetën duke punuar me punë ditore si bujq në fshatin e tyre, ku më pas filluan ngjarjet e dhunshme në Arakan.

“Ushtarët bastisën fshatin tonë Kerife. Vranë të gjithë meshkujt. Gjatë bastisjes kapën edhe bashkëshortin tim Kamal Ahmet që nisën ta rrahin dhe e pyesnin ‘kush janë terroristët?’. Ndërsa bashkëshorti im iu përgjigj se ‘nuk e di kush janë terroristët, këtu nuk shikoj të ketë terroristë’. Ndërsa unë iu luta që të ‘mos e bënin këtë’, por në këtë moment më goditën në qafë dhe më pas e morën burrin e dërguan në pyll. E vranë atë duke i prerë fytin. Ndërsa nuk e di se ku e kanë hedhur trupin, nuk e gjetëm”, është shprehur Begum.

Ndër të tjera duke pohuar se djali i saj i moshës 18-vjeçare, Idris, pasi u kap nga ushtarët u dërgua në burg, Begum tha se disa persona të tjerë në burg kanë parë se atje ia kanë vrarë djalin.

Duke vënë në dukje se pas vrasjes së bashkëshortit dhe djalit nuk i ka mbetur asnjë mashkull në familje, Begum ka theksuar se është larguar drejt pyllit bashkë me 6 vajzat e saj, pasi nuk kishte mundur të ikte nëpërmjet lumit me varka në Bangladesh, sepse nuk kishin para.

“Kam mbërritur këtu duke ecur 60 km brenda pyllit. Këtu kam ardhur vetëm për të shpëtuar jetën tonë. Për shkak të mizorive në Mianmar nuk mund të rikthehemi më, po përpiqemi këtu të mbijetojmë me ndihmat”, ka përfunduar fjalën e saj Lala Begum.

Në vitin 2012 në Arakan humbën jetën një numër i madh muslimanësh pas ngjarjeve të dhunshme mes budistëve dhe muslimanëve, si dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën, ku dhe mijëra muslimanë Rohingya mbetën të detyruar të braktisin zonën.

Loading...