nter dhe Barcelona ndanë nga një pikë në sfidën e vlefshme për grupet e Ligës së Kampionëve, rezultat ky që duket se lë të kënaqura të dy skuadrat, që janë vetëm një hap larg kualifikimit. Të dy golat u shënuan në minutat e fundit të sfidës, me katalanët që kaluan në avantazh me brazilianin Malcom në minutën e 83-të, ndërsa zikaltrit barazuan 4 minuta më vonë, me anë të kapitenit Mauro Icardi.

Tottenhami arriti të fitojë me përmbysje, 2-1 ndaj holandezëve të PSV-së, duke mbajtur gjallë shpresat për t’u kualifikuar për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve. Londinezët e panë veten në disavantazh që në minutën e dytë, por shënuan dy herë në 20 minutat e fundit, me anë të kapitenit Harry Kane, duke ngritur në peshë publikun e “Wembley-t”.

Në barazim 1-1 përfundoi një tjetër supersfidë e mbrëmjes së sotme, ajo e luajtur në “San Paolo” mes Napolit vendas dhe francezëve të Paris Saint Germain. Këta të fundit gjetën të parët avantazhin me anë të Bernat, që shënoi në minutat shtesë të pjesës së parë, ndërsa skuadra e Ancelottit barazoi në minutën e 63-të, kur Insigne mposhti Gigi Buffonin nga pika e bardhë e penalltisë.

Atletico e Madridit arriti të vërë nderin në vend ndaj Borussias së Dortmundit, teksa pas humbjes së thellë dy javë më parë në Gjermani, fitoi sot në “Wanda Metropolitana”, me rezultatin 2-0, falë golave të Saul dhe Griezmann.

Fitore morën edhe Schalke 04, që mposhti Galatasarayn me rezultatin 2-0, e Porto që triumfoi me rezultatin 4-1 ndaj rusëve të Lokomotivës së Moskës, duke ruajtur edhe kreun e grupit, me 10 pikë, ndërsa kualifikimi është thuajse i sigurt.

Loading...