Është hapur ekspozita për nder të 106 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, në katedralen që mban edhe emrin e saj.

Don Lush Gjergji, që ishte edhe nikoqir i kësaj ngjarje, mirëpriti kryeministrin e Kosovës , Isa Mustafa në Katedrale. Gjatë hapjes së kësaj ekspozite ai tha se Nëna Terezë mundohej t’i mësojë njerëzit të jetojnë në paqe.

“Nëna Terezë ka dashur që me veprat e veta dhe me zemrën e mirë t’i mësojë njerëzit që të jetojnë në paqe me të varfrit, në paqe me të fortit dhe në paqe me të gjithë njerëzit, nëpërmjet qëllimit dhe nëpërmjet dashurisë…ne jemi në katedralen e saj për të hapur ekspozitën që e kemi organizuar në bashkëpunim me “Infinity Art”…unë i falënderoj me kënaqësi të rinjtë edhe të rejat e këtij grupi e zbërthejnë bukurinë e shpirtit të vet”, tha Gjergji.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar këtë aktivitet me një rëndësi të madhe. Ai tha se figura e Nënë Terezës është krenari e kombit shqiptar dhe një veprimtare të devotshme.

“Për mua dhe për ne sot është një nder i veçantë që të jemi sot me ju këtu, në këtë mjedis shumë të rëndësishëm për shqiptarët, për kombin tonë, për një aktivitet tepër të rëndësishëm që i kushtohet shenjtërimit të Nënë Terezës, nënës sonë, një veprimtare e devotshme…ne krenohemi me të, krenohemi edhe me ju dhe me të gjithë artistët tanë për këtë ekspozitë kaq të rëndësishme”, tha Mustafa.

Organizatori i ekspozitës, Marjan Nikolla, tha se grupi i artistëve të cilët kanë ndihmuar në realizimin e kësaj ekspozite, është munduar t’i japë ngjyra kësaj dite, të cilën ai e ka quajtur madhështore.

“Faleminderit që keni ndarë kohë që ta festojmë së bashku këtë ditë madhështore të Nënës Terezë, për të gjithë dua ta theksoj se ne jemi një pjesë e grupit të artistëve që sadopak mundohemi t’i japim ngjyra kësaj dite, është kënaqësi të jemi pjesë e kësaj ekspozite” , është shprehur Nikolla.

Ekspozita do të jetë e hapur për tre ditë nga ora 10:00 deri në 16:00, në të cilën mund të shihen krijimet e artistëve që i janë kushtuar kësaj dite.

Loading...