Në këndin ndërmjet bulevardit “Brigada e Dytë Maqedonase” dhe rr. “Kemal Sejfulla”, në afërsi të Shtëpisë së Shëndetit në Çair me kërkesë të eko-aktivistëve dhe qytetarëve të kësaj zone, Komuna e Çairit në bashkëpunim me ekipin e Ndërmarrjes Publike “Parqet dhe gjelbërimet” – Shkup filluan punimet e rregullimit të një hapësire të gjelbërt, përcjell Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu bashkë me drejtorin e NP “Parqet dhe gjelbërimet” – Shkup z. Ardijan Muça, Zëvendës Kryeministrin për çështje europiane z. Bujar Osmani, deputetin Ejup Alimi dhe këshilltarët Besnik Ajeti dhe Halide Palloshi nga Qyteti i Shkupit nga afër vëzhguan rrjedhën e punimeve duke sqaruar detajet e projektit.

Në hapësirë prej 3.865 m² do të realizohen aktivitete të rekonstuimit të hapësirës publike dhe rregullim hortikulturor të gjelbërimit, si dhe sistem të ri për ujitje. Komuna e Çairit do të përkujdeset për vendosjen e pajisjeve urbane përgjatë tij si: shporta për mbeturina, ulëse parku dhe do të kujdeset me punëtorët sezonal për mirëmbajtjen e nivelit të pastërtisë.

Kjo është vetëm një nga shumë projektet e përbashkëta të planifikuara me NP “Parqet dhe gjelbërimet” për rregullimin e hapësirave të gjelbërta përgjatë gjithë territorit. Me kontribut të këtillë të përbashkët institucional, Çairi do të jetë çdo ditë më i bukur dhe më i pastër.

Loading...