Në Kumanovë mbahet konferencë shkencore për folklorin dhe etnografinë shqiptare

Sot, më 22 tetor 2016, në qytetin e Kumanovës do t’i zhvillojë punimet Konferenca shkencore, me temë: ,,Rëndësia e mbledhjes dhe studimit të folklorit dhe etnografisë”. Në këtë tubim me rëndësi të veçantë, me kumtesa shkencore pritet të marrin pjesë studiues, profesorë universitetesh dhe punonjës shkencorë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë – Shkup, Instituti i Folklorit në Shkup dhe pjesëmarrës të tjerë. Me pjesëmarrjen e tij, këtë manifestim do ta nderojë edhe Kryetari i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prof. dr. Skender Kodra me bashkëpunëtorë të tij.
Manifestimi do të fillojë në orën 11:00, ndërsa punimet do të zhvillohen në dy seanca, të përcjella me diskutime në lidhje me temën e kësaj konference dhe kontributet shkencore të pjesëmarrësve.

Loading...