Fushata elektorale në Maqedoni, që mbyllet të premten në mesnatë, po përcillet me akuza të rënda mes partive politike, ndërsa tonet nacionaliste janë të pranishme, para se gjithash tek VMRO-ja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Në tubimet me elektoratin, ai fjalimin e tij e ka përqendruar në akuzat drejtuar liderit të opozitës, Zoran Zaev, duke thënë se në rast të fitores së tij, Maqedonia do të ndahet si shtet, gjuha shqipe do të bëhet zyrtare, me çka, sipas tij, do të rrënohet karakteri i shtetit unitar.

Por, kreu i Lidhjes Social-demokrate të opozitës, Zoran Zaev, retorikës së tillë të Gruevskit i është përgjigjur me vendosmërinë e tij për të nxjerr para drejtësisë të gjithë zyrtarët e inkriminuar. Zaev ka thënë se akuzat e Gruevskit janë përpjekje për të ikur nga shpërdorimet e bëra.

Njohësit e çështjeve ndëretnike thonë se retorika e tillë nacionaliste është si pasojë e mungesës së ofertave konkrete për zgjidhjen e problemeve të shumta, me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë, njofton REL.

Arsim Sinani, analist dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se viteve të fundit, partitë si platformë kryesore kishin integrimin euroatlantik dhe tani pas dështimit të këtij premtimi, por edhe shumë premtimeve tjera, ata janë orientuar në retorikën nacionaliste, e cila gjithmonë u ka shërbyer për shpërqendrimin e vëmendjes së elektoratit.

Loading...