Qeveria ka në plan të shkundë administratën.
Shqiptarja.com zbardh një dokument të Departamentit të Administratës Publike, i cili përcakton afatet për përfundimin e procesit të analizës së gjendjes aktuale të administratës, për rishikimin funksional të institucioneve shtetërore dhe për ristrukturimin e ministrive të linjës.
Dokumenti gjithashtu parashikon tremujorin e dytë të vitit 2018 si afat për vënien në zbatim të modelit të ri të organizimit të administratës shtetërore, çka pritet të prodhojë largime të punonjësve nga administrata, pikërisht për shkak të ristrukturimit të institucioneve, përshkimit të vendeve të punës dhe shkurtimit të vendeve të panevojshme të punës, të projektuara për parazitët.
Sipas planit, kanë nisur dhe do të përfundojnë brenda muajit qershor të këtij viti edhe dy procese të tjera të rëndësishme.
Bëhet fjalë për udhëzimet për menaxhimin e burimeve njerëzore në nivel lokal si dhe për adoptimin e formateve standarde për përshkrimin e punës, procedurat e rekrutimit, dhe vlerësimit të perfomancës për menaxhimin e burimeve njerëzore.
Në fokus të ndërhyrjeve dhe reformave do të jetë edhe pushti vendor, i cili është më shumë i pritur drejt abuzimit.
Plani parashikon hartimin programeve model të transparencës për pushtetin vendor.
Po ashtu, të gjitha bashkitë duhet të miratojnë dhe zbatojnë programet e transparencës sipas ligjit për të drejtën e informimit. 61 njësitë vendore duhet të caktojnë nga një koordinator për të drejtën e informimit.
Ndërkohë, rishikimi i pagave për punonjësit e administratës publike do të mundësohet vetëm në vitin 2019.
Kështu parashikon plani i qeverisë, i cili do të zbatohet përmes Departamentit të Administratës Publike.
Hartimi dhe miratimi i një dokumenti për politikat në sistemin e pagave dhe miratimi i strukturës së re të pagave në administratën publike, parashikohet në tremujorin e dytë të vitit 2019, për të vijuar më pas me miratimin e vendimeve të reja për pagat dhe zbatimi i strukturës së re të pagave.
Gjithashtu parashikohet edhe rishikimi i raporteve mes pagës maksimale dhe pagës minimale/mesatare në administratën publike, me qëllim ruajtjen e një piramide objektive të pagave dhe motivimin e pozicioneve drejtuese.
Plani për një Veting në administratën publike
Qeveria ka parashikuar që administrata publike do të testohet për integritetin dhe ndershmërinë, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Fillimisht, parashikohet që Vetingut për integritetin do t’i nënshtrohen të gjithë kandidatët që aplikojnë për t’u punësuar në administratë. Më pas, testin e ndershmërisë do të duhet që ta kalojë stafi i ambasadave. Procesi do të përfshijë më tej të gjithë drejtorët e administratës. Në vijim, Vetingu do të shtrihet tek të gjithë punonjësit e administratës.
Në planin për vitin 2018, nuk parashikohen masa për ata që nuk do ta kalojnë testin e integritetit, por ndoshta ky proces mund të shoqërohet me ndryshime të nevojshme ligjore, siç po operohet edhe me Vetingun në Polici. Po ashtu, duke iu referuar planit, bashkimi dhe shkrirja e institucioneve, aty ku shihet e nevojshme, do të vijojë edhe gjatë vitit 2018. Gjithashtu, gjatë vitit 2018, është parashikuar rishikimi i organizimit të institucioneve, eliminimi i mbivendosjes funksionale midis strukturave ekzistuese si dhe ndryshimi i funksionit të strukturave.
Gjatë vitit që vjen, Departamenti i Administratës Publike do të fokusohet të përmirësimi i cilësisë së përshkrimeve të punës për punonjësit si dhe tek përmirësimi i testeve të konkurseve për rekrutimin e punonjësve të rinj në administratë, për lëvizje paralele apo për rritje në detyrë. (Marrë me shkurtime nga Shqiptarja.com)

Loading...