Bashkia e Pukës e mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe organizata të ndryshme joqeveritare përkujtoi të shtunën 105-vjetorin e lindjes së poetit të madh, Millosh Gjergj Nikolla, “Migjeni”.

Njerëz të letrave shqipe, artistë e gazetarë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi mbërritën në Pukë, duke vizituar fillimisht shtatoret e Migjenit, vendosur në qendër të qytetit të Pukës, ku u shprehën se respekti që i bëri Puka jo vetëm po e nxjerr nga pluhuri i harresës, por po sjell në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve jetën dhe veprën e tij.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj duke iu uruar mirëseardhjen miqve nga Shqipëria dhe diaspora, tha se Bashkia e Pukës i dha që në krye të herës vlerësimin e merituar Migjenit. Vendosja e shtatores së tij ishte një ogur i mirë, pasi u pasua e po pasohet nga dhjetëra investime për transformimin e qytetit në një qytet europian.

Zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni tha se Puka e Migjenit do të ishte në vëmendjen e Ministrisë së Kulturës për gjallërimin e veprimtarive kulturore dhe artistike.

Artistja e Merituar Tinka Kurti tha se Puka po i jepte vlerën e merituar Migjenit. “Ai është i papërsëritshëm, unë jetoi me te kudo ku jam dhe nëse jam kjo që jam jam pikërisht fal inspirimit nga Migjeni”, u shpreh Artistja e Merituar, Tinka Kurti.

Në këtë kuadër u zhvillua dhe Festivali i Poezisë me motive Migjeniane, ku më shumë se 60 poetë konkurruan me krijimet dhe interpretimet e tyre, ndërsa veprimtaria u cilësua si një gjetje në kohën dhe në vendin e duhur.

Loading...