Qeveria e re e Maqedonisë pretendon të intensifikon bisedimet me Greqinë rreth emrit dhe perspektivës evropiane. Por, sa kjo mund të ketë rezultat pozitiv dhe sa Maqedonia ka vullnet për ta ndryshuar emrin, si kusht kryesor nga pala greke?! Analistët duke i njohur pozicionet e palëve thonë se është ende herët për të shpresuar në ndonjë zgjidhje përfundimtare. Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev thekson se çështja e emrit do të zgjidhet me anë të referendumit, shkruan gazeta Lajm.

 

Njohësi i rrethanave politike Ibrahim Mehmeti mendon se për momentin të dyja palët janë të ngujuara në pozicionet e njohura dhe kjo, sipas tij, nuk krijon mundësi për ndonjë prognozë reale sa i përket integrimeve Euro-atlantike.

 

“Kur dihet se Greqia e ka fuqinë e vendimmarrjes në NATO dhe BE, atëherë është e qartë se pa pëlqimin e saj lidhur me çështjen e emrit, nuk mund të shpresojmë për ndonjë lëvizje shumë të shpejtë pozitive. Kjo është edhe më qartë pas takimit Dimitrov-Kocias. Kuptohet se kjo nuk duhet të jetë arsyetim për qeverinë e Maqedonisë për mosrealizimin e standardeve të pritura në BE dhe NATO. Se sa kjo qeveri është e gatshme dhe e aftë për hapa të këtillë, mbetet të shihet. Sidoqoftë, hapi i parë që do të duhet të ndërmerret është ulja e tensioneve dhe mënjanimi i të gjitha provokimeve të cilat i japin argument Greqisë për veto dhe në të njëjtën kohë nevojitet ndërtim i klimës në vend, e cila do ta shkarkojë qeverinë, por edhe opozitën, nga mentaliteti i istikameve historike, qoftë me Greqinë, qoftë edhe me cilindo fqinj tjetër”, tha për gazetën Lajm Mehmeti.

 

Në takimin e fundit në mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe homologut të tij grek, Nikos Koxias kanë vë në theks se rruga e zgjidhjes së emrit është e gjatë, por me bisedime konstruktive do të jenë në rrugë të mirë për të gjetur zgjidhje.

Në lidhje me temën është prononcuar edhe i pari i qeverisë Zoran Zaev. “Qëndrimi jonë është i qartë. Qëndrimet do t’i ndërtojmë në konsensus me opozitën, ndërkaq do të finalizohen në referendum, ku do të shprehen qytetarët. Pse po kultivojmë shpresë?! Po japim porosi për ndërtimin e një të ardhme të re në pjesën e bashkëpunimit në mes Republikës se Maqedonisë dhe Greqisë. Ardhmëri kjo që garanton perspektivë evropiane, në vend që të bllokohemi në histori siç ishte shembulli deri më tani”, veçoi mes tjerash kryeministri Zaev, duke potencuar se çdo takim është shans për gjetjen e zgjidhjes për zhbllokimin e proceseve tona drejt integrimit të plotë në NATO dhe BE.

Kujtojmë se derisa ishte në pushtet Nikolla Gruevski me VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në, e përsëriste të njëjtën që e thotë sot edhe Zoran Zaev. Madje Gruevski duke e kritikuar Zaevin ja se çfarë pat deklaruar:

“E ardhmja e Maqedonisë është si anëtare e NATO-s dhe BE-së. Politikanët maqedonas nuk mendojnë të marrin një vendim pa një referendum. Çdo gjë tjetër është manipulim i Zaevit dhe skenaristët e tij”.

Një karakteristikë tjetër që nuk e dallon qeverinë e Zaev dhe atë të Gruevskit është raporti ndaj faktorit shqiptar në raport me përfshirjen e shqiptarëve në procesin e bisedimeve për emrin.

Nga ministria e jashtme arsyetohen duke thënë se, takimi është bilateral dhe është inicuar nga diplomacia  greke dhe si i tillë në këtë lloj të takimeve nuk parashihet që delegacioni diplomatik i Maqedonisë të shoqërohet edhe nga përfaqësues të tjerë. Sipas tyre, kjo nuk ka të bëjë me ndarje etnike por se kështu e parasheh rregullorja.

 

Loading...