Gërmimet në varrezat e supozuara masive në Rudnicë dhe Rashkë të Serbisë, do të nisin sërish sot.

Edhe pse pala serbe kishte nisur këto gërmime ditën e premte, ato u konsideruan të njëanshme, dhe reagimi ka qenë i shpejtë i palës kosovare.

Ky fakt kishte detyruar Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit, që të mbajë takim të jashtëzakonshëm dhe përmes ndërmjetësuesve ndërkombëtarë të arrihet marrëveshja që edhe përfaqësues nga Kosova të jenë pjesëmarrës gjatë punimeve në gërmimet vlerësuese, ku dyshohet se ka mbetje mortore të trupave të shqiptarëve që janë varrosur në një varr masiv në këtë vend.

Këtë për KosovaPress e konfirmoi të premten edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj i cili lajmëroi se kishin ndaluar punimet e njëanshme dhe se të hënën (sot) do të jenë pjesëmarrës edhe përfaqësues nga Kosova.

Gjetaj thotë se janë edhe 200 trupa që dyshohet se mund të jenë në varrezat masive në regjionin e Serbisë.

Punimet në Rashkë për ndriçimin e fatit të 200 personave, herë pas here do të vizitohen nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, ndërsa do të caktohen pjesëmarrës nga Mjekësia Ligjore që të jenë prezent gjatë gërmimeve, ku si vëzhgues do të jenë edhe EULEX.

Ndërsa nuk dihet se sa kohë duhet deri në përfundimin e gërmimeve për gjetjen e të zhdukurve që nga lufta e Kosovës.

Loading...