Në Shkup dikur kishte dy “abdallë”

 Kjo lodhësi disi më “frymëzoi” që të flas për të kaluarën, respektivisht t’i dy emra që sot më janë harruar, por që ne, respektivisht brezi im i kujtojmë shumë mirë, sepse me këto dy figura “zbukurohej” Shkupi: njëri ishte i Lindjes e tjetri i Perëndimit. Njëri ishte Abedini “me koliçkë (karrocë)”, e tjetri Ramadani

Shkruan: Ismail BARDHI

Për të ardhmen është edhe lehtë edhe shumë vështirë të flitet në këtë kohë kur më së tepërmi e përdorim shprehjen “jemi të lodhur”, edhe pse nuk e dimë pse dhe si jemi lodhur. Në fakt, lodhja nuk është gënjeshtër, por mbështetjen e ka pa mbështetje, ndaj disi ngjan më shumë si gënjeshtër ose mashtrim. Për fat të keq kjo shprehje përdoret edhe brenda institucioneve me përgjegjësi më të lartë, duke filluar që nga ministritë e brendshme, e deri te ato më pak të rëndësishme. Sot shpeshherë edhe para se t’i pyesësh njerëzit se si e kanë hallin, ata nxitojnë e thonë se janë shumë të lodhur.

Kjo lodhësi disi më “frymëzoi” që të flas për të kaluarën, respektivisht t’i dy emra që sot më janë harruar, por që ne, respektivisht brezi im i kujtojmë shumë mirë, sepse me këto dy figura “zbukurohej” Shkupi: njëri ishte i Lindjes e tjetri i Perëndimit. Njëri ishte Abedini “me koliçkë (karrocë)”, e tjetri Ramadani.

* * *

Abedini… Abedini “me koliçkë” quhej ashtu ngase ai punonte me karrocë, duke bartur mallin e të tjerëve, dhe atë e bënte me dinjitet, jo si sot kur “lypsarët” i mësyjnë xhamitë pas namazit, ose ekspozojnë pjesët e trupit për të shkaktuar keqardhje dhe “këndojnë” Kur’an. Ai ishte një njeri që jetonte në Gazi Babë, lagje e cila nuk mund të njihet më, për arsye të ndërtimeve/shkatërrimeve që janë bërë në këtë lagje, jo vetëm për shkak të atyre pa leje, pa planifikim urbanistik, por edhe për shkak të uzurpimeve që i janë bërë. Edhe asaj, si Abedinit, nuk i ka mbetur nami e nishani. Në këtë pjesë u rrit dhe vdiq Abedini. Ai ishte paksa me të meta psikike, por ishte disi i plotësuar me një urtësi të veçantë, sepse besimin në Zot e kishte të paluhatshëm, po ashtu edhe “turpin fetar”, marren. Ne atë fatkeqësisht e konsideronim “budalla”, “abdall”, por nuk e di se për çka na konsideronte ai neve “normalëve”.

Ky “abdalli” agjëronte, dhe shpeshherë namazin e kryente në xhami, dhe atë në kohën e komunizmit, kur vetëm një pakicë i frekuentonte ato. Ai nganjëherë brenda xhamisë bënte disa sjellje fëmijërore, duke “e humbur” seriozitetin, e bënte edhe ndonjë “shaka”, si p.sh. ua hiqte kapelën nga koka njerëzve që i njihte dhe që nuk i njihte. Por interesante ishte se kërkonte falje duke u thënë atyre: “unë ju dua shumë, dhe bëra shaka”. Siç thashë, asokohe xhamitë nuk ishin të stërmbushura me “besimtarë”, e Abedini i vizitonte xhamitë të cilat asokohe ishin të hapura, si xhamia e Salih efendiut në Gazi Babë, e Idriz efendiut, apo Tutunsëz; e Hafëz Pajazitit apo e Isa Beut; po ashtu xhaminë e Allaxhës, ku imam ishte Hafëz Idriz efendiu; xhaminë e Ballabanit, ku imam ishte Nimetullah efendiu etj.

“Unë ju dua shumë…”, fjalë që nuk dëgjohen më nëpër xhamitë tona; as shakatë e tij nuk shihen më nëpër xhamitë tona, sepse në to tani gëlon nga përgojimi dhe krijimi i grupimeve që kanë për qëllim që ato të uzurpohen, nga falës me ose pa mjekër, e deri te rrahjet fizike që i kemi dëshmuar. Sot brenda në xhami dëgjohen edhe sharje dhe fyerje nga më të ulëtat; sot xhamitë tona i hapin dhe i mbyllin persona të dyshimtë, njerëzisht dhe moralisht. E të mos flas për edukatën e lutjes që asokohe praktikohej nëpër xhamitë tona, ku mbizotëronin heshtja, terbija, frikë-respekti ndaj Zotit, që, për fat të keq, nga disa të sotëm konsiderohet si bidatit jo-islam, e madje edhe si veprim antifetar. (Ja, për “fatin” tonë, sot nëpër xhami nuk mbretëron ai lloj edukate, falë “teologjisë” së grupit). Abedini edhe pse ishte ashtu siç ishte, kishte sjellje të veçantë dhe respekt ndaj imamëve dhe hafizëve të Kur’anit; para atyre nuk fliste fare; i shihte me syrin e zemrës dhe thuajse e përjetonte thënien e Pejgamberit a.s.: “el ulema’u verethetu’l enbija” (“dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve”).

Faktikisht ai ishte simbol i një urtësie të veçantë dhe ndonjëherë nga ai dilnin fjalë të mëdha, siç ishin fjalët “kini frikë Zotin”; “Allahu ju dënon”; “rrena është e keqe”, “mos vidhni”; e sot ne këto vetëm i dëgjojmë dhe “nuk” i kuptojmë, shkojmë aq larg saqë jemi në gjendje të vrasim njëri-tjetrin bi gajri hak. Abedini nuk kishte mjekër, thuajse sikur ta kishte ditur se çfarë do të sillnin disa “mjekroshë” pa fe e pa terbije. Sot xhamitë tona janë përplot me njerëz të llojllojshëm, me pozita të ndryshme politike e kulturore, por pa “humorin” e Abedinit dhe terbijen e tij, që njerëzve iu jepte mundësinë të ishin të sigurt nga ai.

Vetë ekzistimi i Abedinit nuk paraqiste frikë, edhe pse ai kishte të meta; edhe Abedinin si Abedin vendi dhe njerëzit e kuptonin, si ata të mëhallës, ashtu edhe të xhamisë, kurse neve sot kush na kupton?! As familjet tona nuk na kuptojnë, e lëre më xhamia ose mëhalla, sepse njerëzit kanë frikë nga ne, si nga fjalët, ashtu edhe nga duart tona. Ju e shihni se sot nëpër xhamitë tona kur hyjnë “xhemati”, përpiqen t’i thyejnë edhe dërrasat e dyshemesë së xhamisë nga “bum-bumi” i tyre; atyre fare nuk iu intereson se a i pengon dikujt ecja e tyre e tillë; fare nuk kanë ndjenjë për bukurinë e ibadetit, lutjes, edukatës së fesë, pa marrë parasysh “mençurinë” apo pasurinë që kanë/kemi.

Abedini ishte, siç thashë, i anës “tonë”, nuk dilte andej Vardarit. Edhe pse shkrimi nuk ka të bëjnë me Lindjen dhe Perëndimin, për arsye të kuptimit të brendësisë që kishte Abedini, unë do të them se ai ishte i Lindjes, sepse i përkiste kësaj kulture, duke filluar nga edukata, ibadeti dhe nga humori. Me gjithë këto “të meta”, Abedinin njerëzit nuk e harronin dhe i ndihmonin; ai ecte me rroba të pastra, aq sa kishte mundësi. Ai ishte “musliman” i Lindjes.

* * *

Ramadani… Figura e këtij burri ishte enigmë, diçka e panjohur, sepse nuk më kujtohet se ai ka pasur çfarëdo “lidhje” me këtë tokë. Ai shëtiste vetë dhe çdoherë ishte i vetmuar; nuk kishte as vendqëndrim, përpos bredhjes disa rrugëve të qytetit. Interesante ishte se ai nuk fliste shumë, dhe vetëm kur dikush përpiqej ta ofendonte, ky ia kthente.

Vendi ku qëndronte dhe ecte ai ishte më tepër pjesa nga rruga para “26 korrikut” të Bitpazarit, e deri te xhamia e Jelen Kapanit, ndërsa vendi më i parapëlqyer për të ishin Pallati gjyqësor dhe Akademia e Shkencave. (Një shpjegim: xhamia e Jelen Kapanit nuk ekziston më, sepse atë e kanë rrënuar dhe në vend të saj është ndërtuar godina e Gjykatës Themelore të Shkupit.) A nuk duket paksa indikativ qëndrimi i këtij burri të ndershëm në këto vende?! Mos vallë ai e ka ndjerë në vetvete se kjo hapësirë është përplot padrejtësi dhe “frikë”? Për objektin e parë keqpërdoret pjesa më e shenjtë e shoqërisë – drejtësia, ndërsa ai i dyti vetëm bekon dhe vulos në formën akademike. Dikush ka mundësi të ndjehet i fyer dhe të mendojë se jam duke i ekzagjeruar gjërat në lidhje me Gjykatën dhe Akademinë, por nuk është ashtu, sepse po të kishte qenë gjykata/gjyqi ashtu siç duhet, gjendja jonë nuk do të ishte kështu siç është, si atëherë ashtu edhe tani.

Drejtësia ka qenë dhe mbetet mbi gjithçka; drejtësia është ajo e mban edhe fenë dhe i garanton ekzistimin në formën fizike, natyrisht edhe lumturinë dhe sigurinë e të jetuarit dhe të menduarit – ndërsa në gjykatë dënohen krimet, duke filluar nga diskriminimi fizik e metafizik, që ka qenë si ushqim kryesor i këtyre qarqeve… E sot ne kemi frikë të jetojmë, ndodhin krimet më të mëdha dhe mbeten pa u dënuar; ose dënohen post mortem. E shkenca, nga ana tjetër, ajo e ka mbingarkuar veten si partizan i sistemit, respektivisht politikës ditore. Shkrimet e shumta e dëshmojnë këtë: sa njerëz të urtë, të mençur kanë mbetur jashtë këtij institucioni vetëm për arsye të bindjeve. A thua vallë Ramadani i varfër, që nuk dinte as për dimër e as për verë, dëshironte të na tregojë se aty gëlonte padrejtësia, respektivisht se “fotografia e këtyre dy institucioneve jam unë”!?

Ramadani vishej me rroba të çuditshme, më tepër i ngjante ndonjë figure teatrore, disa herë edhe llojit të një “pornografie” hard, ngaqë ai nuk kishte kujdes ndaj paraqitjes së tij; ai shpeshherë një pjesë të trupit e kishte lakuriq. Mos vallë ka pasur ndonjë ndjenjë që Shkupi, apo pjesa përtej Vardarit një ditë do të mbushet me lapidare të çuditshme siç ishte edhe vetë ai!?

Me të vërtetë, ai që nuk e ka parasysh figurën e Ramadanit, me siguri do të mendojë se ai ka qenë një figurë e mbushur, e frymëzuar me diçka; “frymëzimi” i tij si duket paska qenë shumë para kësaj që sot është duke i ndodhur Shkupit, dhe jo vetëm. A nuk kemi të drejtë ne të mendojmë rreth kësaj pyetjeje: pse ai shëtitej në këto vende? Akademia, bregu i Vardarit dhe “Sobrania”, Kuvendi i sotëm, ishin vendet më të parapëlqyera të tij.

* * *

E kam parasysh se fola për dy emra që fizikisht kanë ekzistuar; mundesha që ata t’i emëroj me emra të tjerë, për të mos e ofenduar dikë; lutem që familjarët e tij të mos fyen, se ky fare nuk është qëllimi, por dëshirova që të sotmen e trishtueshme ta mbështes mbi dy “abdallë”, fjalë që ka edhe një kuptim të njeriut të devotshëm, ose dervishit që bredh pa kufi, hip dhe zbret në qiell me shpirtrat e pastër që i kanë pasur.

Ne sot jetojmë pa dy emrat e lartshënuar; është habi, a thua në këtë kohë nuk ka më njerëz të tillë? Studentëve dhe shokëve iu them – jo, nuk kanë mbetur, sepse atë anën e tyre mendore si duket e kemi veshur me rroba të ndryshme që të mos duket, respektivisht është shtuar numri i tyre ndaj iu ka rënë vlera. Ne sot në Shkup kemi gjithçka: kemi zhurmën, kemi frikën, kemi vërshimet, kemi varfërinë, kemi shtëpitë e mëdha të ndërtuara dhe të zbrazëta, pa njerëz e fëmijë, kemi rrugë të ngushta ku edhe “karroca” e Abedinit vështirë se mund të kalojë, e të mos flasim për Ramadanin, ngaqë janë zëvendësuar me figura “historike”.

 

Loading...