Në Shqipëri po hyjnë elemente radikale nga Kosova dhe Bosnja

Prej disa javësh Shërbimi Informativ Shtetëror dhe agjentët e antiterrorit në Shqipëri po vëzhgojnë një grup personash me tendenca të dyshuara terroriste.

Sipas ABC NEWS bëhet fjalë për shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë ardhur nga Bosnja apo Kosova dhe veprojnë në Shqipëri nën petkun e organizatave bamirëse.

Shërbimet e inteligjencës kanë hartuar një listë me këta persona, numri i të cilëve nuk bëhet ende i ditur. Kjo listë mësohet se pas kërcënimeve të ISIS u është vënë në dispozicion agjentëve të SHISH-it dhe atyre antiterror në Policinë e Shtetit, të cilët kanë nisur mbledhjen e informacioneve për të dyshuarit dhe organizatat ku ata punojnë apo janë aktivizuar.

Nga informacionet e mbledhura deri tani, ka dyshime se këta persona kanë prirje ekstremiste dhe mund të përbëjnë një rrezik potencial për vendin tonë. Agjentët e Shërbimit kanë shtuar masat e vëzhgimit për këtë grup personash, të cilët dyshohet se kanë lidhje me individë të caktuar dhe organizata bamirëse me seli në Bosnjë dhe Kosovë.

Për të shtrirë rrjetin e tyre, organizatat e ashtuquajtura ‘bamirëse’ kanë krijuar disa degë në qytete të ndryshme në Shqipëri, duke afruar pas vetes shumë persona, të cilët janë kryesisht pjesë e shtresave në nevojë.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se janë të paktën dy degë të këtyre organizatave të hapura në Shkodër dhe në Kamëz, ku afrohen persona që mbështetin financiarisht apo me ndihma kryesisht në ushqime dhe veshmbathje.

Por nëpërmjet këtyre dy qendrave, drejtuesit e këtyre organizatave kanë mundur të krijojnë një rrjet besimtarësh në disa qytete të ndryshme të vendit.

Sipas burimeve mësohet se lidhjet e tyre shtrihen edhe me besimtarë myslimanë rezidentë në qytetet e Kavajës, Cërrikut, Pogradecit, Elbasanit dhe Librazhdit. Këta individë mësohet se janë edhe frekuentues të rregullt të xhamive, të cilat nuk janë nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Burimet thonë se krahas këtyre informacioneve operative në terren, policia ka shtuar masat e sigurisë edhe në pikat e kalimit kufitar të zonave ku mendohet se operojnë këta individë. Policia thotë se pikat e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, Muriqanit, Morinës së Kukësit dhe Kapshticës janë zonat ku është intensifikuar vëzhgimi.

Në këto pika të kalimit kufitar, policia thotë se janë angazhuar edhe agjent të SHISH-it, të cilët në bazë të informacioneve operative kanë arritur të listojnë disa emra të personave me rrezikshmëri apo prirje radikale.

Këta individë, sipas policisë nuk lejohen të dalin nga territori shqiptar. Madje personat që janë pjesë e listës së dyshimeve dhe që jetojnë jashtë vendit nuk lejohet të hyjnë në territorin shqiptar.

Nga ana tjetër, burimet pranë Policisë së Shtetit thonë se janë shtuar masat e sigurisë pranë rezidencave të personelit diplomatik dhe të huaj të akredituar në Shqipëri, si dhe pranë ambasadave të tyre.

Ata pohojnë se informacioni i ardhur nga agjencitë e huaja e vë theksin pikërisht te këto ambiente, ndërtesa apo edhe vende që frekuentohen nga rezidentët e huaj në Shqipëri, të cilat përbëjnë potencial rreziku.

Në dijeni të këtij informacioni janë edhe partnerët e Shqipërisë në luftën antiterror, të cilët vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare të dhëna shtesë rreth veprimtarisë së personave të dyshuar.

Pas sulmeve në Paris, autoritetet shqiptare kanë shtuar masat e sigurisë nga frika e ndonjë sulmi të mundshëm terrorist, ndërsa janë shtuar vëzhgimet dhe kontrollet ndaj personave të dyshuar për prirje ekstremiste.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pohoi ekzistencën e një liste me persona të dyshuar, të cilët janë kryesisht shtetas shqiptarë të kthyer nga lufta e Sirisë, apo persona të tjerë, me të cilët ata mbajnë lidhje.

Rama: Nuk ka vend për panik, s’jemi më të kërcënuar se vendet e tjera

Një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kryeministri i vendit, Edi Rama tha se Shqipëria nuk është, as më pak e as më shumë, e rrezikuar nga terrorizmi se vendet e tjera të Europës. Kryeministri tha se nuk ka vend për panik./Mapo.al/

Loading...