Në shtëpinë e Ferrarit feston Mercedes. Lewis Hamilton triumfoi në Çmimin e Madh të Italisë duke u shkëputur akoma edhe më shumë në klasifikimin e përgjithshëm nga rivali i tij në garën për titull Sebastian Vettel. Betejën kampioni në fuqi i botës e kishte me ferraristin tjetër Kimi Raikkonen i cili zhvilloi një garë shumë të mirë por për shkak të strategjisë së gabuar të kokëkuqes vuajti pasojat dhe në fund e mbylli garën në vendin e dytë. Podiumi u kompletua nga Valteri Bottas, ndërsa vetëm vendi i 4-t për Sebastian Vettel i cili bëri një garë në ngjitje dhe në fund të garës së Monzas nga 17 pikë disavantazh që kishte nga Hamilton tashmë diferenca shkon në -30 pikë. Garë për t’u harruar për dy makinat Red Bull me Ricciardon që nuk e përfundoi garën dhe Verstappen që u rendit i 5-ti pasi pak xhiro para fundit u ndëshkua edhe me një penallti nga komisarët e garës që e penalizoi pasi deri në ato momente ishte në vendin e 3-të.

Nisja nga dy vendet e para nuk u mjaftoi dy pilotëve të Ferrarit. Raikkonen bëri një nisje të mirë duke ruajtur ndërsa ishte i pafat Vettel i cili mori një goditje nga Hamilton me anglezin që në tentativë parakalimi preku gjermanin duke i dëmtuar makinën këtij të fundit dhe duke e detyruar të shkojë në bokse me makinën e sigurisë që u fut në pistë. Hamilton parakaloi edhe Raikkonen shumë shpejt por finlandezi iu kundërpërgjigj anglezit dhe ruajti kryesimin duke u shkëputur ndjeshëm nga britaniku. Megjithatë strategjia e Mercedes ishte shumë herë më efikase se ajo e Ferrarit që e futi herët Raikkonen në pit stop për të ndërruar gomat. Të gjithë pilotët kryesorë kryen nga vetëm një pit stop, por Hamilton u fut në bokse vetëm në xhiron e 30-të, me Bottas që vazhdoi të qëndronte në pistë duke bërë rolin e tapës për të bërë të mundur që Hamilton të afrohej me Raikkonen. Në momentin që dy pilotët ishin shumë pranë, Bottas hyri në pit stop dhe pastaj me goma më të reja Hamilton gjeti mundësinë për të parakaluar finlandezin e Ferrarit duke u ngjitur në krye të klasfikimit. Një fitore e madhe kjo për britanikun e Mercedes i cili hodhi një hap të sigurtë drejt titullit kampion dhe iu kundërpërgjigj gjermanit Vettel për triumfin në Silverstone.

Loading...