Në Tetovë u mbajt edicioni i dytë i Manifestimit Letrar Ndërkombëtar “Shtigje poetike’’

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, përkatësisht Klubi letrar “Metafora”, më 21 mars – Ditën Botërore të Poezisë e organizoi edicionin e dytë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”. Ky aktivitet letrar u mbajt në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë dhe në të morën pjesë poetë, shkrimtarë, studentë të Universitetit të Tetovës dhe artdashës nga qyteti i Tetovës e më gjerë. Kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, në fjalën e tij u shpreh se përmes MLN “Shtigje poetike”, i shprehim nderimin tonë poezisë nga që e meriton në kohën tonë dhe në të gjitha kohërat, për të vërtetën e saj për të ndikuar në zgjuarsinë dhe mendjet e njerëzve.
“Në ditën e saj me përmasa botërore, besoj nuk do ta teproja nëse them se poezia është e domosdoshme në këtë botë moderne, në të cilën, ne jemi të pllakosur nga frika dhe trazimi. Poetët kanë shpirt prometean, zbresin në paradhomën e ferrit dhe sërish ngjiten në yje. Për mision kanë zhbërjen e territ, të ferrit dhe të tmerrit. Metaforat e vargut të tyre ngërthejnë në vete zjarrin hyjnor, këtë dritë të amshueshme të njerëzimit’’, theksoi Selam Sulejmani.
Me tej ai shtoi se, ta shijosh poezinë që i takon një gjuhe tjetër, do të thotë të shijosh mirëkuptimin e atij populli që i takon ajo gjuhë, një mirëkuptim që nuk e marrim dot ndryshe. “Të merresh me kulturë, në kushtet dhe rrethanat ballkanike, mbase është sfida më serioze për një individ, grup njerëzish, pse jo edhe për një shoqëri të caktuar. Mirëpo, këto vështirësi bëhen më të lehta, më të përballueshme kur gëzon mbështetjen e artdashësve që kontribuojnë për interesin e përgjithshëm. Ndaj, Ju shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë restorant Arrës – Tetovë, Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Tetovës, Galerisë së Arteve Pamore, Komunës së Tetovës dhe sipërmarrjes shqiptare për pajisje kompjuterike “STR KOMPJUTERS”, që na mbështesin në aktivitetet, që ne i realizojmë për publikun e qytetit tonë dhe jo vetëm”, deklaroi kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Për Ditën Botërore të Poezisë, zhvillimet e përgjithshme letrare dhe krijimtarinë në tërësi, para pjesëmarrësve referatin e saj e paraqiti profesoresha e Letërsisë Shqipe, Mr. Sc. Vjollcë Berisha. “Të gjithë ne që jemi mësuar të zhgaravisim mbi një copë letër, duke u munduar të shtrydhim deri në pikën e fundit ndjeshmërinë tonë dhe aftësinë për të thithur të dukshmen e të padukshmen në botë, jemi tërësisht të lidhur me litarët e dyshimit nëse poezia është ende e mundshme në kohën e komunikimit masiv e në kohën e informacioneve krejtësisht të pafiltruara që mëtojnë ta stërmbushin kujtesën e ta trashin shijen tonë estetike.
Në të gjitha epokat e njerëzimit, buzë secilit ndryshim a secilës tendencë për një prurje të re, janë gjetur reflektime të këtilla që dridhen nga frika e fundit të poezisë më shumë se nga mendimet mbi apokalipsin dhe gjithnjë pas tyre, si përgjigje lakonike, ka gdhirë pohimi ricosian se “sa është e pashtershme jeta, po aq është e pashtershme edhe poezia.” Mungesa e vëmendjes së përgjithshme ndaj këtij arti të veçantë, zvogëlimi i atij publiku elitar që e thith me një frymë poezinë, përmbysja e vlerave të mirëfillta poetike, mosvëmendja e merituar, vërshimi i pseudopoezisë dhe humbja e garës së poezisë ndaj këtij fenomeni efemer, janë vetëm disa nga krizat që i kalon arti në epokën tonë.
Ajo që e thellon dilemën se a do të jetë në gjendje poezia të mbijetojë në universin e komunikimit masiv, është pikërisht frika nga tjetërsimi i natyrës njerëzore, nga zvogëlimi i ndjeshmërisë krijuese, nga erozioni shpirtëror i kombeve etj”, deklaroi, Mr. Sc. Vjollcë Berisha.
Poetët pjesëmarrës, si: Bujar Plloshtani – poet, Xhelal Zejneli, publicist dhe profesor në Gjimnazin e Tetovës, Ejup Ajdini, poet dhe profesor në Fakultetin Filologjik të UT-së, Vjollcë Berisha, poete dhe profesoreshë në Fakultetin Filologjik të UT-së, Xhemazije Rizvani, krijuese dhe profesoreshë në Kolegjin ,,Wilson” në Tetovë, Sllavica Dabevska Kirovska – poete, Daim Iljazi – poet, Kasam Shaqirvela – poet, Fajona Geci, poete dhe gazetare, Zylbehar Zylbehari – profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Nadire Ismaili – poete, Ekrem Ajruli – poet, Bardhyl Zaimi, poet dhe gazetar, Sadije Aliti – poete, Behare Neziri- poete, Kaltrinë Sadiki, absolvente e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të UT-së dhe Erblina Islami, absolvente e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin Filologjik të UT-së, në këtë manifestim letrar recituan poezi në gjuhë të ndryshme të krijuesve shqiptarë dhe të huaj, ndërsa Shkëlzen Pajaziti, Teuta Emini dhe Berat Shahini e realizuan pjesën artistike. Në edicionin e dytë të manifestimit letrar ndërkombëtar ,,Shtigje poetike”, përpos poetëve, morën pjesë edhe shumë personalitete të tjera të jetës akademike, intelektualë, veprimtarë të artit dhe kulturës shqiptare.

Loading...