Edicioni i tretë i Manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, përfundoi me programin artistik në të cilin performuan artistët e njohur: Elita Ziberi, Premtim Etemi, Shkëlzen Pajaziti, Dren Dervishi dhe Nuhi Musa.
Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova, të premten në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, e shënoi njërën prej datave më të rëndësishme të historisë së kombit tonë. Në-138 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, “Tradita” e organizoi edicionin e tretë me radhe të Manifestimit kulturor tradicional “Lidhja na Bashkon”.
Në këtë mënyrë, jo vetëm që e përkujtoi këtë datë të historisë sonë të lavdishme, por njëkohësisht i promovoi edhe vlerat kulturore të popullit tonë. Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” – Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve në këtë aktivitet kulturor theksoi se në historinë e kombit tonë ka disa data që kanë shënuar epokë. Njëra prej tyre, pa dyshim është edhe Lidhja e Prizrenit, e mbajtur më 10 qershor të vitit 1878.

“Në 138-vjetorin e saj, ne sot të gjithë së bashku e shënojmë dhe e përkujtojmë këtë ngjarje historike nga më të rëndësishmet, e cila e dha kushtrimin e parë për bashkimin e shqiptarëve rreth idesë së kombit. Ishte Lidhja e Prizrenit që ideoi lëvizjen e Rilindjes Kombëtare për lirinë e kombit shqiptar dhe për konsolidimin e Shqipërisë. Sot e kujtojmë veprimtarinë e rilindësve tanë, të patriotëve të vërtetë dhe të intelektualëve të mirëfilltë që e zgjuan kombin për të punuar për të ardhmen e tij, për ta shkruar gjuhën shqipe, për të hapur shkolla dhe për t’u bërë gati për realizimin e ëndrrës shekullore, për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur” – tha Selam Sulejmani.


Ai në fjalën e tij nënvijëzoi po ashtu se pas Lidhjes së Prizrenit dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, historia shqiptare hyri në një fazë të re dhe se për këto si dhe për zhvillimet e mëvonshme historike, e kanë thënë fjalën e tyre studiuesit e historiografisë sonë kombëtare.
Për rëndësinë historike të Lidhjes së Prizrenit, për ngjarjet dhe zhvillimet kronologjike që i paraprinë organizimit të saj si dhe për efektet e saj në rrjedhat e më vonshme historike, para të pranishmëve, e paraqiti referatin e tij tematik – Prof. Dr. Nebi Dervishi.

Prof. Dervishi u shpreh se njëqind e tridhjetë e tetë vjet më parë, më 10 qershor 1878, në ditët e stuhishme të Krizës së madhe lindore, kur re të zeza ishin grumbulluar mbi qiellin e Shqipërisë, në qytetin e lashtë të Prizrenit u themelua organizata e parë e lëvizjes sonë kombëtare me karakter politik gjithëshqiptar, e cila me emrin Lidhja shqiptare ose Lidhja e Prizrenit ka hyrë në histori si një ngjarje e madhe historike, duke bërë një kthesë vendimtare në luftën për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe e cila, me rrjedhimet e saja objektive ndikoi mbi të gjitha periudhat e mëvonshme.
Në kuadër të programit të Manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, u promovua vepra “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”, e botuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë.
Në funksion të debatit shkencor, këndvështrimit të sotëm në raport me këtë ngjarje historike, Shoqata “Tradita” nga Tetova, vitin e kaluar (10 qershor 2015), e organizoi konferencën shkencore me temë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”.
Në këtë aktivitet shkencor, studiuesit nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Shqipërisë, nga Republika e Kosovës dhe nga Kosova Lindore, e trajtuan në hollësi: luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë; këndvështrimin e studiuesve shqiptarë dhe të huaj; programin arsimor dhe kulturor; rolin dhe kontributin e kolonive shqiptare; qëndrimin e shteteve fqinje; rolin e shtypit shqiptar dhe të huaj, si dhe teza të tjera të argumentuara nga aspekti shkencor.

Po ashtu, në-138 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Shoqata “Tradita”, për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, u ndau mirënjohje : Festivalit ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit”, Bashkësisë Kulturore Shqiptare, Shoqërisë kulturore artistike “Xheladin Zeqiri”, Festivalit të folklorit burimor “Sharri Këndon”, Festivalit për fëmijë “Bletëzat”, Radio Shkupit, Klubit futbollistik “Shkëndija”, Teqesë “Harabati Baba” – Tetovë dhe Klubit të shkrimtarëve “Oeneum”.
Edicioni i tretë i Manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, përfundoi me programin artistik në të cilin performuan artistët e njohur: Elita Ziberi, Premtim Etemi, Shkëlzen Pajaziti, Dren Dervishi dhe Nuhi Musa.

Loading...