Në zgjedhje lokale nevojiten kuadro të reja, e jo “aminxhinj” të liderëve partiakë

Zgjedhjet lokale shihen si afat i fundit që partitë politike shqiptare, parlamentare dhe jo parlamentare të promovojnë, ti ofrojnë popullit njerëz me ide, mendime dhe koncepte të reja, e jo të riciklohen kuadrot e njëjta që janë në skenë tani disa vite, pa treguar asnjë rezultat konkret.
Njohësit e rrethanave politike dhe vetë partitë politike, për gazetën Lajm, komentojnë “mitin”, e krijuar nga paritë politike në të kaluarën duke mos propozuar njerëz me bagazh intelektual, por duke ia ofruar popullit vetëm të dëgjueshmit e kryetarit.

Iseni: “Kuadrot e reja” term i panjohur për BDI-në

Gazetari, Xhenur Iseni thotë që zgjedhjet lokale do të jenë shumë të rëndësishme për jetëgjatësinë e partive politike, por kjo varet edhe nga kandidatët që do ti plasojnë në këto zgjedhje.

“Kjo nuk do të vlejë për BDI-në sepse kjo parti pat rastin tani në emërimin e Ministrave në Qeverinë e re të vendos persona me bagazh intelektual dhe të ri, por kjo parti nuk e bëri këtë, andaj edhe do të dënohet maksimalisht në zgjedhjet lokale, edhe nëse vendos kandidat me bagazh intelektual kjo parti do e merr grushtin e nokautit nga shqiptarët”, deklaroi Iseni për Lajm.
Sipas Isenit partitë tjera, duhet të marrin leksion nga BDI për atë se çfarë nuk duhet bërë si ata. Andaj thotë se nëse nuk dëshirojnë ta kenë fatin sikur BDI, partitë e reja duhet të vendosin persona të ri por jo me mendësi autoritare, kështu partitë e reja do mund të fitonin më shumë komuna, duke e ditur tash se edhe vetëdija politike te shqiptarët është ngritur.

“Në BDI ende vazhdon mendësia tribaliste e “Komandantëve”, por shqiptarët kësaj radhe do iu japin një grusht me PENË”, përfundoi Iseni.

Politologu Ariton Rama mendon që zgjedhjet lokale janë afati i vonuar. Sipas tij qasja dhe produktiviteti politik te tabori shqiptar tashmë është tepër i rrënuar dhe jo produktiv, me shumë veprime monotone, politikbërje pa ide, pa strategji dhe pa plan reflektues.
“E gjithë kjo është si pasoj e asaj që ende preferohet dhe i besohet personaliteteve që dinë të jenë më afër kryetarit si dëgjues i mirë dhe jo më afër popullit si intelektual ,aktivist apo politik bërës efektiv . Padyshim se karakteri i rinisë në politikë është shpëtim dhe revolucion, e kjo sidomos do vjen në shprehje nëse kalkulohet si opsion për zgjedhje lokale, sepse promovimi dhe hapësira e rinisë në këto zgjedhje do jetë shpëtim nga kuadro pa sens kreativ, urbanistik, shoqëror dhe frymë revolucionare duke hyrë në funksion alternativa të reja, idetë inovative, energji e reja dhe më efikase, prosperitet detajues në çdo pore komunale.”, pohoi Rama

Tirana dhe Prishtina të shërbejnë si shembull

Ai thotë se vija e parë frontale me problemet e qytetarëve është administrimi lokal për të cilën duhet shumë përgjegjësi dhe vullnet pune. Rama mendon që kuadrot nga radhët e rinisë, do të ishin personalitet e duhura për funksione lokale duke i zëvendësuar kuadrot e harxhuara por edhe të korruptuara. Ai thotë se në këtë drejtim shembujt më të mirë kemi Prishtinën dhe Tiranën, që me kuadro të reja menaxheriale sot janë shembulli më i mirë për reformën totale lokale që po përjetojnë këto metropole shqiptare.

“ Mendoj që mbi gjitha duhet të kemi vetëdije politike qytetare që para se të votojmë ti kemi në dispozicion parametrat eventuale për të votuar siç janë platforma lokale për qytetin ose komunën konkrete, ekipi ose lidershipi dhe në fund kandidati. Në zgjedhjet tona duhet ti jepet përparësi kandidatëve me profil të garantuar profesional, moral, dhe të përgjegjshëm që e donë komunën dhe mbi gjitha që ka modesti të theksuar, qasje në programet globale, me mendësi dhe prirje aktuale në trendin dhe vizionin e vetëqeverisjes lokale nëpër botë, Pra të gjitha këto parametra mendoj që i plotëson vetë një kuadër i ri” veçoi Rama.

Për Ramën, mbi gjitha kjo do ishte edhe risia e ëmbël e Maqedonisë në prag të reformave ku mund ta kemi një kryetar me moshë të re LE TA PROVOJMË.

Sa janë të gatshme partitë politike të promovojnë kuadro të reja? Në BDI është vështirë për t’i kontaktuar, sepse nuk preferojnë të komunikojnë me mediume kritike si gazeta Lajm.

Besa dhe LR PDSH: Jemi të hapur për rininë

Faton Fazliu nga Lëvizja Besa thotë se gjatë kohës së shkurtër sa është në skenën politike, kjo parti ka dëshmuar se është e haur për kuadro të reja.

“Kjo pyetje mund t’i drejtohet partive tjera por jo edhe Lëvizjes Besa. I gjithë koncepti i ndërtimit të partisë ishte i bazuar në fytyra te reja me bagazh intelektual dhe tash të mos vlerësohet kjo apo të na fusin me një thes me partitë që po kalben nga kuadrot e plakura në funksione të larta publike, do të thoshim se më së paku kjo nuk është e drejtë”, deklaroi Fazliu.
Ai premton se ashtu siç ka filluar ndërtimi i Lëvizjes Besa, “ashtu edhe do të vazhdojmë sepse jemi të bindur se është rruga e vetme e duhur për përfaqësim të denjë politik të shqiptarëve”.

Edhe zëdhënësi i LR-PDSH-së, Flakron Bexheti thotë se në zgjedhjet e ardhshme lokale kuadrove të reja politike duhet të ju besohet mundësia të kandidojnë edhe për kryetarë komunash, e jo vetëm për këshilltarë.

“Është mirë që t’ju jepet rasti edhe për zgjedhje Komunale, si kandidat potencial për Kryetar komunash, dhe këshilltarë. Të rinjtë sot që janë pjesë e politikës duhet të vendojnë standarde të reja në politike, duke imponuar shpresë komunikimi mes subjekteve, pa gjuhë të urrejtjes, por edhe me gatishmëri për të krijuar konsensus dhe bashkëpunim kur dhe ku ta kërkojë nevoja”, tha Bexheti për Lajm.

Ai shprehet i bindur se partitë politike shqiptare tanimë në radhët e veta kanë kuadro të reja cilësore dhe të shkolluar me afinitete politike, që pa kurrfarë problemi do të mund të bartnin ;do lloj përgjegjësie. (m.i.)

Loading...