Xhevdet Hajredini
Pas deklaratës së Teutës ku tha se “ne gjithsesi që mbështesim politikat e kryetarit Ali Ahmeti nën udhëheqjen e të cilit arritëm të bëhemi pjesë e NATO-s”, më nuk ka dyshim se me meritat e kujt Maqedonia e arriti këtë sukses të madh. Nuk paska qenë e rastit as deklarata e Edi Ramës se Teuta na qenka “prijëse e proceseve progresive dhe partnere e dëshmuar e Perëndimit”.
Përveç kësaj, poashtu, u bë e ditur se edhe Marrëveshja përfundimtare midis Maqedonisë dhe Greqisë për emrin e shtetit, qenka bërë me përpjekjet e vendosura dhe të palodhura të BDI-së në krye me “liderin historik”, Ali Ahmetin, si dhe me mbështetjen maksimale të Ilir Metës.
Me qëllim të rrumbullaksimit të këtyre rezultateve impozante në lëmin ndërkombëtar, për tu zgjidhur kanë ngelur edhe disa çështje “të imëta”, të cilat BE-ja në konkluzat e fundit të Samitit, i ka vu si kusht për caktimin e datës së fillimit të negociatave për anëtarësim.
Një ndër kushtet kryesore është reforma në drejtësi. Por, reforma në drejtësi është e pamundur në qoftëse nuk bëhet pastrimi i të gjithë gjykatave nga gjykatësit të cilët i refuzojnë propozimet e prokurorisë speciale për t’i paraburgosur të akuzuarit të cilët paraprakisht janë arratisur jashtë vendit dhe ua bëjnë të mundur personave që janë nën hetime ilegalisht të largohen nga vendi, e dënojnë për shpifje dëshmitarin i cili në procesin para gjyqit të Nju Jorkut, i zbulon emrat e funksionarëve të Maqedonisë, pjesëmarrës në skandalin korruptiv të “Maxhar Telekom”-it, i dënojnë për shpifje ndaj partive në pushtet dhe “liderëve të tyre” mediat e pavarura dhe gazetarët të cilët shkruajnë në mënyrë kritike për korrupsionin dhe krimin e organizuar të bartësve të funksioneve shtetërore.
Reforma në drejtësi dhe në administratën publike, nënkupton, poashtu, edhe largimin e funksionarëve partiakë të cilët, nga “bombat” e publikuara të Zaevit, dëgjohen se si e ndihmojnë uzurpimin e tokave ndërtimore në pronë shtetërore si dhe ndërtimin pa leje të pallateve mbi këto toka. Reforma duhet ta bëjë të mundur realizimin e rekomandimit të Komisionit të Venecias- që të publikohen të gjitha “bombat” e papublikuara dhe të dorëzuara tek Prokuroria Speciale Publike, derisa edhe ato me bisedat private, në qoftë se e prekin interesin publik.
Jo vetëm që Maqedonisë nuk i kanë bërë shërbim të mirë, por përkundrazi, i kanë shkaktuar edhe dëm, raportet vjetore të Komisionit Evropian gjatë viteve sa kanë qenë në pushtet VMRO-ja me BDI-në, ku vazhdimisht konstatohej se Maqedonia i përmbush kushtet për ta marrë thirrjen për fillimin e negociatave dhe se pengesë është vetëm zgjidhja e kontestit me Greqinë për emrin e shtetit, edhe pse ishte e qartë se gjendja faktike nuk ishte ashtu. Kjo situatë ua bëri të mundur Gruevskit dhe Ahmetit ta robërojnë shtetin, të sillen të dy sikur janë mbi institucionet, mbi ligjin dhe mbi të gjithë qytetarët, edhe pse të dy janë me kapacitet shumë të kufizuar intelektual, profesional e arsimor.
Pasojat e mënyrës së ushtrimit të pushtetit nga ana e tyre, dolën në pah kur Maqedonia në 2015, u gjet në një krizë të thellë politike, morale dhe të sigurisë, dhe, për dalje nga kjo krizë, u bë e domosdoshme ndërhyrja direkte e vetë BE-së dhe SHBA-ve, me çka u bë i mundur rrëzimi i regjimit reaksionar të kriminalizuar dhe skajshmërisht të korruptuar të koalicionit VMRO-BDI.
Fitohet përshtypja se BDI-ja do të përpiqet, që edhe SKRININGU i BE-së, i cili parashihet të fillojë brenda disa ditëve, ta ketë fatin njësoj si “reformat” të cilat i bënin me VMRO-në në të kaluarën.
Do të përpiqet BDI-ja ta pengojë reformën e sistemit zgjedhor me qëllim që ta pamundësojë ndikimin e qytetarëve në zgjedhjen e deputetëve dhe të zvogëlohet mundësia që “lideri” të imponojë militantë partiakë, të cilët, për ta ushqyer familjen, nuk janë në gjendje të punojnë as si molerë.
Do të përpiqet BDI-ja ta pengojë edhe reformën e rregulloreve për punësim në sektorin publik, si dhe avancimin e tyre në detyrë. Nuk do të lejojnë të bëhet e pamundur që kryetarët e degëve të partisë t’i hartojnë listat e kandidatëve për punësim dhe avancim. Jorastësisht, për të ardhur deri te posti i kryetarit të Degës së partisë në BDI, ndodhin jo vetëm rrahje dhe plagosje, por edhe vrasje.
Nuk ka shtet anëtar i BE-së, ose NATO-së, pjesë e të cilëve, falë “politikave të Ali Ahmetit”, të cilat i mbështet edhe “prijësja e progresit dhe partnerja e dëshmuar e perëndimit dhe e Shqipërisë”, ku punësimi në sektorin publik bëhet në mënyrën si i bënë BDI-ja. Në fillim plotësohen “defterët” e kryetarëve të degëve, mandej të njëjtat kalojnë në listën e Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit.
Fenomen i paparë dhe i padëgjuar është praktika të cilën e zbaton BDI-ja gjatë “punësimit” të mijëra të rinjve dhe të rejave shqiptare, gjoja sipas Marrëveshjes së Ohrit.
Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë këta të rinj për tu regjistruar në këto lista, me përjashtim të anëtarëve të familjeve të funksionarëve partiakë, vetëm ata e dinë, ne jo vetëm që supozojmë, por edhe çdo ditë dëgjojmë.
Çfarë masash, do të propozojnë ata që do ta bëjnë SKRININGUN në Maqedoni, kur do ta shohin se në këtë shtet është e mundur, për interes të partisë në pushtet, nga paratë e buxhetit, pa kurrfarë baze ligjore, vite me radhë, mijëra qytetarë paguhen, vetëm e vetëm, me qëllim që ata dhe anëtarët e farefisit të tyre, të përdoren si kontigjent votuesish dhe partia t’i fitojë, siç thonë, zgjedhjet “në të gjitha ciklet zgjedhore”.
Unë nuk jam nga ata të cilët besojnë se zbatimi i të gjitha këtyre politikave dhe “procedurave”, bëhen pa dijen dhe lejen e liderit të partisë dhe bashkëpunëtorëve më të afërt të tij.
Vlen në fund të shpresojmë dhe t’i dëshirojmë sukses SKRININGUT në Maqedoni.

Loading...