Nevzat Bejta: Kemi përkrahjen e Shqipërisë dhe Kosovës për referendumin

????????????????????????????????????

Shtabi Komunal Zgjedhor i degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, të martën në mbrëmje mbajti mbledhjen e parë bashkë me kryesinë e degës, kryetarët e Këshillave Vendore dhe funksionarët partiak.

Mbledhja u hap nga kryetarja e Shtabi Komunal Zgjedhor për Referendumin e 30 Shtatorit, Saranda Imeri.

“Gjendemi përpara një shansi të madh historik. Përmes zgjidhjes së çështjes së emrit hapet rruga për anëtarësim në NATO dhe BE”, deklaroi Imeri, duke ftuar shqiptarët dhe shtetasit e tjerë të Maqedonisë që të japin përkrahjen e tyre për Referendumin.

Fjalë mbajti kryetari i degës dhe nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta i cili mes të tjerash potencoi që për Referendumin janë shprehur presidentet e dy shteteve shqiptare, Ilir Meta dhe Hashim Thaçi, kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, si dhe kryeparlamentarët e Republikës së Shqipërisë e Kosovës, Gramoz Ruçi dhe Kadri Veseli.

Bejta tha që presidentet, kryeministrat dhe kryeparlamentarët prezantojnë qëndrimet e shteteve, prandaj thirrja e tyre është dashamirëse dhe duhet të respektohet nga çdo shqiptar i Maqedonisë.

Kjo përkrahje, tha Bejta, është sinjali më i qartë që duhet fuqishëm të përkrahin Referendumin e 30 Shtatorit dhe për të ecur rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Maqedonia ka mbështetjen e tre shteteve më të fuqishme të Evropës. Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca japin përkrahjen e tyre të fuqishme për Maqedoninë dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Kemi mbështetjen e shtetit më të fuqishëm në Botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës për integrim në NATO”, tha Bejta duke shtuar që përkrahja nga Shqipëria, Kosova dhe shtetet më të fuqishme të Evropës dhe Botës janë garanca më e fuqishme që jemi në rrugë të mbarë dhe të drejtë.

Deputetja Mirsada Emini – Asani para strukturës së BDI-së në Gostivar, vuri në dukje që referendumi i sukseshëm dhe integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE kanë qenë prioritet i BDI-së që nga fillimi i funksionimit të partisë në vitin 2002. Emini – Asani tha që ishte vizion i liderit Ali Ahmeti i shpalosur para dhe pas vitit 2001 ishte largpamës dhe sot është momenti të materializohet ky vizion që shqiptarët t’i takojnë familjes së madhe evropiane.

Strukturës partiake iu drejtua edhe zëvendësminisrja e financave, Shiret Elezi, e cila mes tjerash u fokusua në përfitimet që Republika e Maqedonisë do t’i ketë nga integrimi në strukturat euro – atlantike. Elezi potencoi që BE vetëm për vitin 2018-të ka caktuar grante me vlerë 50 milion euro për Maqedoni, mjete këto që nuk kthehen. Elezi sqaroi që 15 milion euro janë ndarë për transport dedikuar pë rrugë, hekurudha, ura, tunele, gjithçka që ndërtohet në Maqedoni.

“Një miliardë e 260 mijë euro është buxheti i Bashkimit Evropian që deri në vitin 2020 i dedikohen Republikës së Maqedonisë. Në ditë ndahen 26 mijë euro mjete financiare për investime kapitale që jepen për shtetin e Maqedonisë”, tha mes të tjerash Elezi, e cila tha që me inkuadrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, investimet dhe përkrahja financiare do të rritet edhe më tepër.

Për fund, nënkryetari i degës, Bashkim Hasani ftoi strukturën partiake të mobilizohet dhe më 30 Shtator të votohet në mënyrë plebishitare për Referendumin e 30 shtatorit, suksesi i të cilit hap dyert për integrim të Maqedonisë në BE dhe NATO. Hasani publikoi agjendën e aktiviteteve dhe ftoi strukturën e BDI-së që të organizohen sa më mirë për të pritur liderin e BDI-së, Ali Ahmeti me datë 26 Shtator në qytetin e Gostivarit.

Loading...