Nga është ky shqiptar që shiti shtëpinë dhe me fëmijët shkoi në Siri?

Tiranë, 11 nëntor – Rreth një muaj para se të shkonte në Siri (në shkurt të 2014-ës), i ndjeri Shkëlzen Dumani, shiti shtëpinë e motrës sime dhe e mashtroi, duke i dhënë të firmose disa letra të tjera në vend të aktit të shitblerjes.
Kjo ka qenë dëshmia e Agim Ndregjonit, dhënë dje përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke treguar me detaje të gjitha lëvizjet që ka bërë Shkëlzeni para se të shkonte në Siri. Ndregjoni pohoi se, Dumani, kishte mashtruar motrën e tij dhe dy fëmijët e mitur se do të shkonte në Shkodër së bashku me disa vëllezër myslimanë, por në fakt ai ishte nisur për të luftuar xhihad në Siri. Por historia nuk merr fund këtu, vijoi shpjegimin përpara togave të zeza vëllai i Hamide Dumanit, Agimi, duke shtuar se, “Shkëlzeni i kishte kërkuar gruas së tij të firmoste disa letra pa i shpjeguar më parë se për çfarë duheshin firmosur. Më vonë doli se, motra ime kishte firmosur largimin e dy fëmijëve jashtë territorit të Shqipërisë”, shkruan Shekulli.
Agim Ndregjoni ishte thirrur dje të dëshmonte nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjithçka dinte rreth Shkëlzen Dumanit. Sipas organit të akuzës, Ndregjoni është kunati i Dumanit dhe kishte dijeni për lëvizjet e fundit që kishte bërë Shkëlzeni përpara se të shkonte në Siri, së bashku me dy fëmijët e mitur. “Unë mbaj mend se Shkëlzen Dumani u largua në shkurt 2014 nga Shqipëria me destinacion Sirinë. Gjatë komunikimeve që ka pasur me nënën e tij, ajo më kë thënë se Xeni (Shkëlzeni) është vrarë gjatë luftimeve në Siri.
Një muaj përpara se të ikte në Siri, Shkëlzeni shiti shtëpinë që kishte te blloku i pallateve në rrugën “Don Bosko”, ndërsa vendosi në atë kohë që pas shitjes së apartamentit të blinte një tjetër. Isha edhe unë së bashku me motrën e time Hamide Dumani, për të parë një banesë të re. Shkëlzeni mori motrën time për të firmosur aktin e shitblerjes së shtëpisë së shitur por në fakt nuk ishte kjo, sepse ai i kishte dhënë Mides (Hamides) për të firmosur letrat që lejonin largimin nga Shqipëria me pëlqimin e njërit prind të dy fëmijëve të mitur. Shkëlzeni e bëri këtë gjë, pasi ai kishte vendosur të shkonte në Siri, së bashku me dy fëmijët e tij.
Pasi motra ime i firmosi letrat, Xeni i tha se do të shkonte në Shkodër me disa vëllezër myslimanë dhe me vete do të merrte edhe fëmijët. Midja nuk kundërshtoi dhe i dha pëlqimin burrit të saj që, ai të merrte me vete edhe fëmijët e mitur. Kjo ka qenë edhe hera e fundit që unë kam folur me Shkëlzenin. Pasi ai iku në Shkodër, siç më tha motra ime, Shkëlzeni ndërpreu komunikimin me të gjithë njerëzit e afërt, përfshi edhe gruan e tij. Një ditë më pas nuk po lidhesha në telefon me Shkëlzenin dhe u detyrova që të kontaktoj me vëllain e tij, Shpendin, i cili tha se Shkëlzeni ishte mirë, pasi kishte folur në telefon më të. Nga ajo ditë, pra nga shkurti e në vazhdim ne (unë, motra, të afërmit e tjerë) nuk patëm më mundësi komunikimi me Shkëlzenin, sepse ai ishte nisur nga Rinasi për të luftuar xhihad në Siri.
Më pas kam takuar Bujuar Hysën, Imamin e Xhamisë në Mëzez. Fillimisht, kur e pyeta Bujarin, ai nuk e njohu Shkëlzenin, pasi ai prezantohej me tjetër emër në xhami. Në fund imami e kuptoi se për kë po flisja dhe më tha se, nuk kishte dijeni se ku kishte shkuar Shkëlzeni, por më tha se, “nëse do të mësonte ndonjë gjë rreth tij do më njoftonte”. Më vonë kam takuar Orion Reçin, i cili, gjithashtu më tha se nuk dinte asgjë për kunatin tim Shkëlzenin. Ndërkohë që sapo dilja nga xhamia, dikush më thotë se, “fëmijët e Shkëlzenit kishin fjetur te shtëpia e Orion Reçit, një natë përpara se të niseshin për në Siri”, mbyll rrëfimin e tij dëshmitari i Agim Ndregjoni.

Loading...