Nga pushteti (qendror), në pushtet (lokal), PSE?!

Njohësit e rrethanave politike në Maqedoni në deklaratat e tyre për gazetën Lajm theksojnë se kandidimi i përfaqësuesve të ekzekutivit për prijës të pushtetit lokal është e drejtë demokratike, por nga njëra anë edhe simbolikë e mungesës së kuadrove. Ndryshe, këto zgjedhje lokale do të jenë edhe “hyrje” në zgjedhje parlamentare, vlerësojnë analistët.

Sipas ish kryetarit të komunës së Sarajit, Imer Selmani është e drejtë e tyre politike- demokratike të kandidohen, persona nga pushteti qendror në atë lokal.

“Është thjeshtë vlerësimi i tyre, për tu kandiduar për kryetar komune, por në të njëjtën kohë duhet të ketë qenë edhe vlerësimi i vet partisë të cilës i përket. Kurse sa i përket pyetjes se a do të jetë qeveria afat shkurte nuk varet prej këtyre momenteve se sa ministra eventualisht do të kandidohen për kryetar komunash dhe sa prej tyre do të fitojnë si kryetarë, se kandidimi për kryetar të një komune nuk do të thotë se me automatizëm do të fitosh dhe do bëhesh i pari i komunës” deklaroi Selmani për Lajm.

“Për mua problem është fakti se me ndryshimin e njeriut të parë të dikasterit në ndonjë ministri do të ndalen edhe projektet reformuese për të cilat një ose më shumë ministra kanë kontribuar dhe kontribuojnë, dhe me ndryshimin e njeriut të parë automatikisht të ndonjë ministrie ndryshojnë edhe prioritetet e ministrive në fjalë”, shtoi Selmani.

Nga ana tjetër, gazetari Arben Zeqiri thotë se cilado palë të fitojë zgjedhjet lokale do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet janë thuajse të sigurta se do te mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Kandidimi i ministrave dhe deputeteve për kryetarë komunash dëshmon këtë edhe më shumë, pasi të njëjtit tentojnë të sigurojnë një mandat në pushtetin lokal ku të paktën 4 vite do të qëndrojnë nëse fitojnë. Por kjo është një thikë me dy tehe”, tha Zeqiri për Lajm.

Zeqiri thotë se ata, deputetët dhe ministrat, ose do të “rehatohen” ose do të digjen edhe si ministra dhe deputet nëse nuk fitojnë në zgjedhjet lokale. Sipas tij, nëse do të jenë të ndershëm do të duhet të tërhiqen nga të gjitha postet, por nëse nuk e bëjnë këtë do të vënë në pikëpyetje jo vetëm legjitimitetin, por edhe ndershmërinë e tyre dhe subjektit që përfaqësojnë.

Analisti Sulejman Mehazi për gazetën Lajm thotë se kandidimin e ministrave dhe deputetëve për kryetarë komunash e bëjnë vetëm partitë e dobëta, e shumë pak të autoritetshme para popullatës.

“Partitë e reja politike sikurse Aleanca e Ziadin Selës, po edhe e PDSH-së së zbehur e të rrudhur, kjo metodë e kandidimit të ministrave dhe deputeteve më shumë është për shkak popullaritetit të Selës, Taravarit e jo për shkak të qeverisjes afatshkurte”, deklaroi Mehazi.

Ai shton se partitë tona nuk e kanë zakon të lënë qeverinë sepse ju vjen lezet të jenë në krye të pushtetit.

“Pra, fuqia e dobët politike e partive të Selës e Thaçit vetvetiu i detyron që për kryetarë komunash të konkurrojnë ministra e deputetë, gjoja se do votohen më shumë, se s’kanë persona tjerë të autoritetshëm.

Kujtojmë se, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në një prononcim për NOVA pohoi se Aleanca për Shqiptarët e kishte urgjente të propozonte kandidat komune në Gostivar, sepse nuk kishin arritur të darkordohej me partitë tjera më të vogla, ndërsa si kandidat më i përshtatshëm për Gostivarin, kanë vlerësuar se është pikërisht Taravari.

Nëse nuk fiton në Gostivar, Taravari paralajmëron se do të dorëhiqet nga politika. “Nuk ka asnjë anëtar nga partia jonë që do ta kandidonim për kryetar komune. Shpresonim se do të dakordoheshim me ndonjë parti tjetër, por nuk arritëm. Nëse nuk fitoj në Gostivar, do të përshëndetem me politikën dhe do të mbetem vetëm si mjek, dhe do të kaloj më tepër kohë me familjen”, ka deklaruar për NOVA, ministri Taravari. Ai sqaroi se deri në zgjedhjet lokale do të kryejë funksionin ministër i shëndetësisë, do të vijë çdo mëngjes në Ministri, ndërsa obligimet do t’i ndajë me zëvendësin e tij dhe me sekretarin shtetëror.

Loading...