Ngjarje mbarë kombëtare në Austri, fillon promovimi i kuzhinës shqiptare në mbarë botën

Asnjë ëndërr nuk është e parealizueshme, kur ekziston vullneti dhe dëshira. Ajo që para një viti e gjysmë dukej si ëndërr, në fund të këtij janari u bë realitet. Data 29 janar do të shënohet me shkronja të arta në historinë e Kuzhinës shqiptare, njëjtë sikurse edhe emri i restorantit La Perla në Grac të Austrisë. Pikërisht në këtë datë dhe në këtë restorant, filloi të jetësohet në praktikë ideja për unifikim të kuzhinës shqiptare nën moton e përbashkët “Shija Shqiptare”. Ajo që para një viti e gjysmë dukej si ëndërr e shefave të kuzhinës Faruk Neziri, Sokol Prenga dhe Përpraim Babalija, tani u bë realitet. Ata shtruan një darkë të posaçme, ku prezantuan specialitetet e përgatitura, në bazë ushqimeve tradicionale shqiptare. kënaqësia ishte e papërshkrueshme për shkak se përgatitjet për fillimin e këtij projekti zgjatën gati dy vite.

Secili prej tyre kishte zgjedhur të përgatisë specialitet të bazuar në ushqimet dhe produktet nga rrethi ku vijnë.

Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo dhe ambasadori kosovar Sami Ukelli, dhanë kontribut të veçantë në organizimin e këtij evenimenti. Ata premtuan se edhe në të ardhmen do të ndihmojnë këtë iniciativë, ët cilën e vlerësuan si shumë të dobishme për shqiptarët.

Në këtë darkë ishin prezent biznesmenë dhe mysafirë që nga Tetova e deri në Londër. Në mesin e tyre ishte edhe biznesmenja shqiptare nga Kosova, Leonora Popaj, pronare e tre restoranteve në Londër.

Pse pikërisht “Shija Shqiptare” filloi në restorantin La Perla në Grac. Sepse kontribut të çmueshëm në jetësimin e idesë për unifikim të shijes shqiptare, ka dhënë edhe biznesmeni nga Gostivari, Nagip Ibrahimi, i cili bashkë me Faruk Nezirin menaxhojnë restorantin la Perla në Graz.

Darka e shtruar në Grac ishte vetëm fillim i rrugëtimit të Shijes Shqiptare. Takimi i ardhshëm, ku do të prezantohen edhe shumë specialitete tjera, është caktuar në Zvicërr, pastaj në Gjermani e Angli, dhe në të gjitha shtetet evropiane dhe në Amerikë. /LajmTV/Gazeta Lajm/

 

Loading...