As pas raundit të sotëm të negociatave në Athinë, çështja e emrit nuk mori epilog konkret. Pas bisedimeve 5 orëshe mes krye-diplomatëve Nikolla Dimitrov e Nikos Kocias dhe ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic ky i fundit nuk zbuloi detaje nëse janë tejkaluar dallimet kryesore mes palëve. Nimic vetëm tha se takimi ishte pozitiv dhe se i paraprin takimit të dy kryeministrave, Zoran Zaev dhe Aleksis Ciprastë cilët pritet të takohen më 17 maj në Sofje në kuadër të Samitit të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre kandidate.

Ishte takim serioz. Palët mundohen ta zgjidhin çështjen e emrit. Gjithçka që mund të ju them është se kishim takim shumë serioz, punuam fort, intensivisht. Kemi bërë punë pozitive. Ministrat do t’i informojnë kryeministrat e tyre, që do të takohen javën e ardhshme më 17 maj në Sofje – tha Metju Nimic, Ndërmjetës i OKB-së.

Nga ana tjetër, mediat greke gjatë ditës raportuan se zgjidhja është shumë afër. Sipas tyre, në tavolinën e negociatave ishte skenari që marrëveshja të arrihet tani, por e njëjta të realizohet gradualisht, për 2 vjet. Kështu pala maqedonase do të pranojë që emri i ri të përdoret si jashtë ashtu edhe brenda vendit dhe do ta ndryshojë Kushtetutën. Derisa pala greke do të pranojë që vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të fillojë negociatat me BE-në. Ndërsa “Maqedonia e Epërme” dhe “Maqedonia e Re” sipas mediave greke, janë dy propozimet më dominuese.

Anesa Salihu/ Alsat M

Loading...