deputeti
Reshat Ibrahimi
Shqiptarët në Zvicër, respektivisht ata të kantonit të St.Gallenit në të ardhmen mund të kenë një politikan të tyre në parlamentin e shtetit, si deputet i Zvicrës.
Veton Rasaj, student i Fakultetit Ekonomik, një djalosh 19-vjeçar me origjinë nga Peja (Kosovë), nip i fshatit Llojan të Kumanovës, në zgjedhjet e ardhshme nacionale që do të mbahen në Zvicër më 18 tetor, mund të hyjë në histori si shqiptar i parë nga Kantoni i St.Gallenit që fut këmbën në parlamentin zviceran.

Ai është kryetar i forumit rinor të partisë CVP ose partisë demokristiane, e cila për nga numri i deputetëve është partia e tretë në Zvicër.
Rasaj pushimin e tij në vendlindjen e prindërve të tij në Kosovë e ka shfrytëzuar për disa takime me personalitete të ndryshme në Kosovë, si me Hajdar Beqa, pastaj Pal Lekaj, deputet në Kuvendin e Kosovës, me Forumet rinore, atë të Partisë demokratike në Kosovë dhe me Forumin rinor të qytetit të Gjakovës.
Të gjithë këta i kanë premtuar mbështetje në mënyra të ndryshme në fushatën parazgjedhore të cilat do të fillojnë në muajin shtator.
Rasaj, gjatë një vizite të tij në Kumanovë është shprehur i gatshëm t’i përfaqësoj interesat e shqiptarëve në Zvicër, e sidomos të rinjve shqiptarë që jetojnë atje. Por ai këtë qëllim mund ta arrij vetëm me ndihmën e mërgatës shqiptare që ka të drejtë vote në kantonin e St.Gallenit.

Vizitën e tij tek dajallarët në Llojan të Kumanovës, gazeta “Lajm” shfrytëzoi për një intervistë ekskluzive.

Takim me Forumin Rinor të PDK-së në Gjakovë
Lajm: Cili ishte motivi që u futet në politikë në një moshë kaq të re?
Veton Rasaj: Bindja ime se të rinjtë ishin dhe duhet të jenë edhe në të ardhmen një “llokomotivë” e ndryshimeve kryesore në botë më motivoi dhe më dha shpresë që edhe unë të jem pjesë e këtyre ndryshimeve globale.

Lajm: Në çka u bazua besimi i partisë suaj CVP që t’ju kandidojë për deputet në parlamentin e Zvicrës nga Kantoni i St. Gallenit?
Veton Rasaj: Përkrahjen e partisë e kisha që në fillim, sidomos nga besimi i tyre që më votuan për kryetar të partisë në fillim të vitit 2014 në qytetet e Sankt Gallen, Gossau dhe Rorschach.

Lajm: Është herët të flasim për zgjedhjet, por na thuaj në pika të shkurtra çfarë do të përfshini në aktivitetet tuaja gjatë fushatës parazgjedhore?
Veton Rasaj: Nga muaji shtator do të kam një fushatë të ngjeshur parazgjedhore, do të kemi shumë takime si me elektoratin zviceran, por me një përkushtim të vecant për elektoratin shqiptar që jetojnë dhe kanë të drejtë vote në Kantonin e Sankt Gallen.

Lajm: Çfarë i premtoni elektoratit tuaj në zgjedhjet nacionale të 18 tetorit?
Veton Rasaj: Do të jem zëri i tyre për të gjitha problemet që i kanë, sidomos për të rinjtë që kanë ide dhe vizione shumë më të avancuara por shpesh edhe keqkuptohen.

Lajm: Po shqiptarëve, çfarë ju premton dhe për cka do të përpiqeni?
Veton Rasaj: Une kam në program arsimimin, si pikë kryesore, por kam edhe mbështetjen nga partia që vijë, që cdo i ri shqiptar do të ketë mundësi së paku një shkollim dual ta përfundon (mësim dhe zanat). Arsimimi është shtyllë e ngritjes shoqërore, edhe ne do të integrohemi dhe më shumë nëse kemi mundësi për një arsimim të mirëfilltë.

Lajm: Ju jeni edhe anëtar i FC Besa nga St. Galleni, a keni ndonjë strategji për avancimin e sportit edhe më shumë?
Veton Rasaj: Është krenari të jesh anëtar i FC Besa, lojtar i klubit me një të kaluar shembullore në mërgim. FC Besa ishte dhe është udhërrëfim më i bukur i cdo shqiptari në Zvicër. Do të punoj që sportin ta kemi prioritet për të gjithë. Do të angazhohem të plotësoj të gjitha kushtet për një mbarëvajtje të mirë, sidomos për klubet më migrues.

Lajm: A keni besim se mund të bëheni deputet në parlamentin e Zvicrës dhe nëse fitoni çka do të thoshte kjo për ju?
Veton Rasaj: Natyrisht se besimi qëndron, për këte arsye jam edhe kandidat.Do të jetë një sukses i jetës sime, por do të jetë më tepër një sukses i popullit tim që jeton në Zvicër. Me fitoren time do t’ju tregojmë të gjithëve se shqiptarët janë plotësisht të integruar dhe janë të gatshëm të marrin pjesë në udhëheqjen e shtetit ku jetojnë.

Loading...