Kulturë

Nis Festivali i Resë, çfarë aktivitetesh ju presin deri më 27 Maj

2_1495444559-8794290

Me rastin e një vjetorit të vendosjes në Tiranë të instalacionit të Resë së Fujimoto në Tiranë, mbi 17 grupe artistësh vendas dhe ndërkombëtarë do të marrin pjesë në festivalin 7-ditor ku do të performojnë në zhanre të ndryshëm, si teatër, kërcim, muzikë, apo projeksione.

Artistët shqiptarë ngritën dhe siparin e këtij festivali ku artisti Klod Dedja u prezantua para publikut artdashës të kryeqytetit me projeksion-instalacionin Brenda “Within”. Përmes kësaj vepre, publiku pjesëmarrës pati mundësi që të shihte veten, qytetin dhe të tjerët nga një perspektivë e RE.

“Brenda”cilëson artisti, është konfrontim materialesh, duke lënë të hapur reaksionin ndërmjet arkitekturës konceptuale dhe asaj shpirtërore.

Klod Dedja është njëri prej të parëve artistë të skenës artistike të fillim viteve ’90, i cili praktikoi artin e performancës në Shqipëri.

Një tjetër performancë që u prit mjaft mirë ishte dhe ajo me muzikë polifonike nga Shaban Zeneli dhe ansambli Dodona i Fierit. Për të mbyllur programin e natës së parë, Dj RDN miksoi tinguj nga performanca polifonike dhe muzika shqiptare me formë bashkëkohore duke i dhënë tjetër.

Ndërsa dje pasdite tingujt e muzikës xhaz sollën një atmosferë krejt tjetër për të apasionuarit, duke i kthyer pas në kohë.

Përgjatë të gjithë ditëve dhe netëve të festivalit, qytetarët do të mund të shijojnë përzierjen më të mirë multikulturore dhe ndërkulturore, midis praktikave të artit bashkëkohor dhe atij tradicional.

Që nga vendosja në qendër të Tiranës të instalacionit Reja e dizenjuar nga artisti me famë botërore Fujimoto, brenda një viti janë organizuar aktivitete të ndryshme duke gjallëruar jetën artistike të kryeqytetit dhe njëkohësisht duke e kthyer atë në një nga pikat më atraktive të kryeqytetit.

To Top