Kadri Gërvalla

Qeveria e Kosovës, nëse dëshiron ta ketë diasporën afër, duhet të ndajë buxhet dhe të mendoj për një organizim pak ma ndryshe, për dallim nga organizimet që kemi momentalisht.
Diaspora mjaftë është anashkaluar, kjo do të jetë hera e fundit pasi që sipas mendimit të shprehur të shumë veprimtarëve, ende nuk ka dalë në skenë pakënaqësia dhe presioni që mund t´i bëjë diaspora institucioneve të Kosovës, dhe, nëse nuk ndryshon trendi për diasporën, kjo një ditë do të shpërthejë.
Kontributi i diasporës dhënë Kosovës është diçka e rrallë, prandaj një meritë të madhe për Lirinë që e gëzon sot Kosova, e ka diaspora. Diaspora e meriton që të marrë pjesë në avancimin e proceseve në Kosovë, dhe mund ta bëjë këtë nëse i ofrohet mundësia. Diaspora ka një kapital të madh që mund ta zhvilloj Kosovën.
Ajo për çdo vit derdh në Kosovë më shumë se 800 milion euro, afërsisht sa ka buxheti i Kosovës për krejt vitin. Diaspora ka kuadro të ndryshme dhe të nevojshme për Kosovën. Diaspora e ka luajtur luajtur rolin e diplomacisë për Kosovën,diaspora e ka bërë internacionalizimin e çështjes së Kosovës, dhe mund të thuhet se adresa e të gjitha të mirave për Kosovën ka qenë dhe është diaspora shqiptare.
Ku mbeten premtimet e personaliteteve politike
Që nga mbarimi i luftës dhe gjatë këtyre viteve, shumë nga personalitetet politike kosovare, kanë qëndruar në mesin e diasporës. Ata premtuan se diaspora do të ketë përkrahje institucionale. Do të ketë lehtësime doganore, lehtësime në administratë. Madje ata premtuan se në kuvendin e Kosovës do të ketë vend edhe për deputetë nga diaspora.
Krerët politik në Kosovë patën thënë se „Kontributi i diasporës duhet të shkruhet në librin e artë të Republikës së Kosovës“.Mërgimtarët rregullisht shkojnë në Kosovë dhe e kërkuan këtë libër të artë e askund nuk e gjetën, veçse gjetën shërbime burokratike nëpër komuna. Shkuan për tu pajisur me dokumente dhe u kthyen të zhgënjyer dhe me premtime si gjithmonë se në vitin tjetër do të ketë lehtësira për mërgimtarët. Përralla!
Disa qeveritarë kur erdhën në pushtet kishin thënë se „Për kontributin që ka dhënë diaspora gjatë luftës së UÇK-së, duhet ti ngrihet Përmendore e Lirisë“.Ne ishim në Kosovë dhe nuk e pamë askund këtë përmendore të Lirisë për diasporën. Ne nuk kërkojmë përmendore ,por ju kërkojmë vetëm që t´i respektoni ato përmendore të dëshmorëve dhe t´i respektoni familjet e dëshmorëve. Ju kërkojmë që të mos shkelni mbi gjakun e atyre që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ligj për mërgatën e Kosovës
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me datën 15 prill 2010, miratoi ligjin për mërgatën. Në parim e përshëndesim dhe e përkrahim, por mbi 90% , e mërgimtarëve nuk është njoftuar për këtë ligj dhe çka është më keq ,nga mërgimtarët nuk është marrë asnjë mendim , apo ide pasi ky ligj ka të bëjë për ta.
Organet përgjegjëse për mërgatën, në zbatimin e këtij ligji janë;
Agjencia e mërgatës së Kosovës-,e cila themelohet si Agjenci Ekzekutive, e cila në aspektin organizativ është pjesë e Zyrës së Kryeministrit.
Qendra Kulturore të Kosovës për mërgatën- themelohen në diasporë dhe drejtohen nga Drejtori i Qendrës Kulturore.
Themelimi i këtyre Qendrave në diasporë, nëse themelohen do të thotë shuarje e aktivitetit të partive politike ne diasporë shuarje në heshtje…
Sipas këtij ligji brenda periudhës një vjeçare duhet te themelohen këto Qendra në diasporë ka kohë edhe gjashtë muaj, ne po presim.
Nëse Kosova nuk bën për diasporën atëherë ne duhet t´i a tregojmë asaj mënyrën se si duhet vepruar. Diaspora ka nevojë për Kosovën,Kosova ka nevojë për diasporën.
Ndërsa lidhur me atë se a duhet që dikush nga diaspora të ketë mundësi për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur, duhet thënë se kjo ka mundësi të bëhet dhe nuk dihet përse jemi anashkaluar. Diaspora duhet ta ketë vendin në Parlamentin e Kosovës, duhet ta ketë vendin në Ministrin e Emigracionit nëse formohet dhe duhet të ketë vend në Ambasadat diplomatike dhe në Konsullata. Nëse Kosova nuk e bën këtë ne duhet t ´i bëjmë presion që të mundësohet perspektiva e shfrytëzimit të aftësive profesionale që i ka diaspora, përndryshe nëse nuk ndryshon trendi për diasporën kjo një ditë do të shpërthejë.

Loading...